AKTUALITET, 20 October 2026, 22:29

“Vuri karriget aty si tek estrada e Gramshit”/ Dash Shehi: Ditët e Ramës kanë marrë fund, largohet me protestë masive, nuk ka nevojë për dhunë

“Vuri karriget aty si tek estrada e Gramshit”/ Dash Shehi:

Ish-deputeti Dashamir Shehi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, duke komentuar ftesën e Ramës për dialog, e cilësoi atë si shfaqje tek Estrada e Gramshit, sepse protesta është politike.

“Them që në njëfarë mëyrë kjo lloj proteste do të prodhonte një lloj dhune. Kam ndejtur te ajo protesta shumë ditë dhe kam uruar të mos shkonte puna deri këtu te dhuna. Nuk i kam qejf këto, djegiet dhe këto, gjykoj që nuk i bëjnë mirë, i shfrytëzon ai Edi Ramë më shumë, por me sa duket, pa dhunë në njëfarë mënyrë nuk paska atë sukses që duhet të ketë. Sot kanë dalë pedagogët dhe studentët, e shoh si pozitive, që mund të dalë edhe qytetti. Pasi kur ka dhunë nuk del qyteti. Më pëlqeu ideja që ditën e shtunë të bëjmë një masive atje. 

I ftoj qytetarët e Tiranës të dalin, uroj që deri atë ditë të mos ketë aspekte dhune. 

Kur të kuptojnë që nuk e duan masivisht këtë person, ndoshta pastaj edhe nëpër rrethe do të marrin ndonjë dorë. Ndoshta edhe opinioni ndërkombëtar e ka kuptuar se ditët e këtij kanë marrë fund. 

Ne po themi studentëve, por e gjithë kjo punë nuk është çështje vetëm studentësh. Studentët bëjnë të vetën, bëjnë mirë që kërkojnë interesat e veta, kushtet. Kjo është demonstrim i shqiptarëve të pakënaqur kundër qeverisë së vet. Por ta reduktojmë siç do Edi Rama që do të negociojmë me studentët, këto muhabete nuk kanë vlerë. Protesta është politike. E ka thelbin politik, nuk është për kushte dhe batanije. Kushti i parë, të ikë kryeministri. Nëse e zhveshim nga aspekti politik, është si t’i thuash qeverisë, ky ishte një hall i vogël. 

Kjo është kundër kësaj qeverie, kundër këtij ministri. Falë Zotit edhe kundër këtij sistemi politik. Duam zgjedhje të reja, por me ligj të ri zgjedhor. Nuk duam më këtë Kushtetutë. Kanë artikuluar teza që bëjnë sikur nuk i dëgjojnë. 

Nuk më pëlqen çmimi i dhunës, pasi shpeshherë shkon edhe në favor të qeverisjes, bizneset kanë hallet e veta, qeveria e ekzagjeron pjesën e dëmit. 

Nuk ka nevojë për dhunë, por për masivitet. Nuk rrëzohet qeveria me guerrile urbane. Nuk ka ndodhur në vend tjetër. Uroj që deri të shtunën të ketë zgjidhje, ndërhyrje, por jo talljen që bëri ai sot, dialogu me ca karrike, pse cfarë është ajo estrada e Gramshit? Kujton se janë budallenj shqiptarët, por këto gjërat ia thonë ata idiotët që ka vërdallë”- tha Shehi.