AKTUALITET, 20 October 2026, 17:34

Protesta e studentëve/ Ditmir Bushati mesazh socialistëve të ndershëm (VIDEO)

Protesta e studentëve/ Ditmir Bushati mesazh socialistëve të

Ish-ministri i Jashtëm socialist, Ditmir Bushati, ka shprehur mbështetjen për protestat e të rinjve dhe kërkesat e studentëve, ndërsa ka dënuar dhunën dhe atë që e cilëson si brutalitet të policisë gjatë tubimeve të fundit, për të cilin përgjegjësinë politike ia atribuon edhe kryeministrit Edi Rama.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Bushati thekson se të rinjtë po kërkojnë një Shqipëri të re, të çliruar nga korrupsioni, krimi i organizuar dhe abuzimi me pushtetin.

Ish-ministri i Jashtëm u bën thirrje gjithashtu përfaqësuesve të Partisë Socialiste që të reagojnë ndaj kërkesave të të rinjve dhe studentëve, në një kohë kur protestat vijojnë dhe çështjet e ngritura prej tyre kanë nxitur debat publik.

Reagimi i ish-ministrit të Jashtëm Ditmir Bushatit:

Si prind jam me të rinjtë që kërkojnë një jetë me dinjitet në atdheun e tyre.

Si njeri i botës universitare mbështes plotësisht kërkesat e studentëve. E ardhmja do të përcaktohet nga aspirata, revolta dhe energjia e një brezi që nuk pranon të pajtohet me atë çka u ofrohet si normalitet.

Si qytetar jam kundër akteve të dhunës dhe kundër brutalitetit të policisë.

Kur Shqipëria është gjendur përpara një kthese të madhe, të rinjtë kanë ditur ti paraprijnë ndryshimit. E bënë këtë në vitin 1990.
U përpoqën në vitin 1996. Por kërkesat e tyre u shpërfillën, çka paralajmëroi tmerrin e vitit 1997.

Prej muajsh rinia shqiptare është rikthyer në sheshe duke shpalosur një pasion që rreh veç në gjokset e këtij brezi. Nuk është gjithmonë i shprehur qartë, e rrallëherë është i disiplinuar.

Rinia kërkon një Shqipëri të re, sepse refuzon normalizimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në jetën publike; personalizimin e tejskajshëm të pushtetit që e trajton atdheun si plaçkë; modelin e kapitalizmit grabitqar që prodhon kosto të papërballueshme jetese, braktisje të vendit dhe polarizim shoqëror.

Injorimi i kërkesave të të rinjve dhe strategjia e përçarjes mes flamingove dhe sorrave dështoi. Nuk do të funksionojë përpjekja për ti ndarë të rinjtë në të mirë e të këqinj. As gjuha kërcënuese ndaj tyre, prindërve dhe medias. Shkopat e gomës, gazi lotsjellës, uji i hedhur me presion, apo motivimi financiar i policëve nuk e shuan dot revoltën e një brezi që di për shumë skandale dhe jeton mes vështirësive të panumërta. Aq më pak kërkimi i fajtorëve te ‘forcat e huaja’ në një shoqëri europiane, thellësisht pro-amerikane.

Të rinjtë kërkojnë një Shqipëri të re. Tani është detyrë e mësuesve, prindërve, sipërmarrësve, punëtorëve, akademikëve, dhe po, para së gjithash, e Partisë Socialiste që të ngrihet në lartësinë që e thërret koha. Partia Socialiste duhet të dallojë atë që i përket një momenti politik nga ajo që i detyrohet Shqipërisë.

#Shqipëriameritonmëshumë