AKTUALITET, 20 October 2026, 17:45

Berisha thirrje qytetarëve në ditën e tetë të protestave studentore: Dilni në mbështetje të të rinjve, ata po luftojnë për të gjithë ne

Berisha thirrje qytetarëve në ditën e tetë të

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen studentëve në ditën e tetë të protestave në Tiranë, duke kërkuar mbështetjen e tyre për kërkesat dhe kauzën e të rinjve.

Berisha u bën thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë indiferentë ndaj protestave dhe të mbështesin studentët, të cilët, sipas tij, po kërkojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe vendin. Ai thekson se shqiptarët që i kanë mbështetur të rinjtë gjatë javës së protestave duhet të kapërcejnë frikën dhe t’i përgjigjen thirrjes së tyre.

Në reagimin e tij, kreu i PD-së ngre shqetësime për përdorimin e shkopinjve të gomës, gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës gjatë protestave. Ai pretendon se pasojat e përdorimit të këtyre mjeteve kanë prekur jo vetëm studentët dhe gjimnazistët, por edhe banorët.

Berisha e lidh situatën e krijuar me atë që e cilëson si keqmenaxhim të vendit dhe vjedhje të fondeve e pasurive publike gjatë 13 viteve të qeverisjes. Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të mbrojë interesat e tij politike dhe financiare, ndërsa studentët dhe pedagogët vijojnë protestat.

Në përfundim të mesazhit, kreu i Partisë Demokratike u bën thirrje qytetarëve të marrin pjesë në tubimin në mbështetje të studentëve, të paralajmëruar për në orën 10:00, përpara universitetit.

Videomesazhi i plotë:

Ky mesazh i drejtohet çdo shqiptari. Prej një jave, Tirana po përjeton terrorin e kuq që Shqipëria nuk e njihte më që nga ditët e zeza të regjimit komunist. Prej një jave, fëmijët shqiptarë, nën moshë, gjimnazistë dhe studentë po dhunohen barbarisht nga grupe narko-kriminelësh me uniformë.

Prej një jave, mbi 2 mijë vajza, djem, gjimnazistë, të mitur, studentë, janë dhunuar egërsisht, ndaluar apo arrestuar dhe kanë mbushur paraburgimet e vendit nga burgu famëzi i Burrelit gjer në burgun e Beratit.

Prej një jave, kemi parë disproporcion të madh ndaj reagimeve në vetëmbrojtje të studentëve kundër shkopinjve të gomës që thyejnë kockat e tyre të njoma, gazit helmues që është ngritur si një re e zezë mbi qiellin e Tiranës dhe çdo ditë po mbyt jo vetëm studentët dhe gjimnazistët, por dhe shtëpitë dhe banorët e tyre në Tiranë. Plumbave të gomës që lëshohen në breshëri, me pamëshirë, në shkelje të plotë të ligjit, ndaj studentëve, gazetarëve, por edhe qytetarëve, dhe që në fakt kanë çarë kafkat e tyre.

Edi Rama, për të shpëtuar lëkurën e tij, shpalosi dje platformën kriminale të terrorit të kuq. Bazuar në mercenarë, vrasës serialë të paguar 2500 euro, bazuar në mercenarë dhe vrasës serialë të importuar nga jashtë dhe në mjete të teknologjisë së terrorit. Por, protesta e sotme e mijëra e mijëra asistentëve, pedagogëve dhe profesorëve të universiteteve në mbështetje të studentëve të tyre, përmbysi platformën e terrorit të kuq të Edi Ramës.

Kjo që po shohim është fundi i merituar i Edvin Kristaq Xhelatit.

Edi Rama, pasi nxiu jetën 13 vite shqiptarëve me vjedhjen kolosale të fondeve dhe pasurive publike, me arrogancën, përçmimin, me krimin, drogën, me bllokimin e rotacionit politik dhe farsat elektorale, vendosi që deri në fund të tij, t’i krijojë kosto të rënda Shqipërisë.

Ai kërkon të mbrojë me çdo çmim lëkurën, krimet, paratë e tij, mirëpo studentët dhe të rinjtë heroikë nuk bëjnë pas. Ata së bashku me pedagogët e tyre, prapë sot dolën në sheshin e mejdanit, asgjësuan platformën e terrorit të kuq të Edvin Kristaq Kolekës.

Por çdo qytetar shqiptar duhet të kuptojë se sot ka një përgjegjësi.

Qytetarët shqiptarë të të gjitha bindjeve politike, por dhe ata të paparti, nuk duhet të harrojnë se prej 13 vitesh keni ngritur zërin, keni kërkuar që të rinjtë të ngrihen kundër të keqes që ka kapluar vendin. Keni kërkuar prej tyre të marrin fatin e tyre në dorë. Studentët, gjimnazistët, të rinjtë janë ngritur si feniksi nga hiri.

Ata po e bëjnë detyrën e tyre. Tani është radha juaj.

Shumica shqiptare që prej një jave mbështet në heshtje, me të gjithë shpirt studentët, duhet të vrasë frikën dhe të zbresë së bashku me ta në sheshin e mejdanit. Ata studentë sot janë drita e shpresës për Shqipërinë, prandaj ftoj çdo qytetar të dëgjojë thellë në ndërgjegjen e tij thirrjen më sublime që qenia njerëzore mund të ndjejë, thirrjen e të rinjve, thirrjen e kombit.

Çdo ditë që Edi Rama nuk jep dorëheqjen, Shqipëria ka një kosto më të lartë, por çdo ditë që ti nuk bashkohesh me studentët, Edi Rama zgjat fundin e tij të pashmangshëm.

Ndaj dhe dil sot, në mbështetje të atyre të rinjve, që Edi Rama u ka vjedhur gjithçka, por ende nuk e kanë braktisur dhe duan të bëjnë Shqipërinë sipas projektit të ëndrrave të tyre rinore. Ende kanë shpresë të bëjnë Shqipërinë. Ata po luftojnë për të ardhmen e tyre, ata po luftojnë për ty. Mos t’i lëmë ata vetëm që të bëjnë betejën e të gjithë shqiptarëve. Të gjithë me të rinjtë, të gjithë tek ata nesër në ora 10:00 para universitetit, gjer në fitore.

Zoti ju bekoftë!

ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE