BOTA, 15 August 2026, 11:41

Tërmeti 5 ballë trondit qytetin e Granadës në Spanjë/ Dëme në ndërtesa dhe makina, shpallet gjendje e jashtëzakonshme

Një tërmet me magnitudë 5 ballë sipas shkallës Rihter ka goditur qytetin spanjoll të Granadës, në Andaluzia, në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Deri më tani, janë raportuar dëme në ndërtesa dhe automjete, por nuk ka raportime për persona të lënduar, bëri të ditur qeveria lokale në një deklaratë.

Tërmeti u regjistrua pak pas orës 01:00, sipas orës lokale, duke shkaktuar panik te banorët dhe duke nxjerrë shumë prej tyre në rrugë.

Pamjet e transmetuara nga televizionet spanjolle kanë treguar mbeturina të shpërndara në rrugë dhe dëmtime në disa automjete. Shërbimet e emergjencës në Andaluzia kanë ndërhyrë gjithashtu për të nxjerrë disa persona nga ndërtesat e dëmtuara.

Pas lëkundjeve, autoritetet rajonale shpallën gjendje të jashtëzakonshme.

Nënkryetari i qeverisë andaluziane, Antonio Sanz Cabello, u bëri thirrje banorëve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

“Nëse ndodheni në Granada, e keni ndjerë tërmetin, jeni mirë dhe shtëpia juaj nuk është dëmtuar, qëndroni të qetë dhe shmangni hyrjet dhe daljet e panevojshme nga ndërtesat”, tha ai.

Autoritetet vijojnë vlerësimin e dëmeve dhe monitorimin e situatës në zonat e prekura.