SPORT, 21 Maj 2023, 08:44

SUPERIORE/ Titulli luhet në distancë, të gjitha skuadrat zbresin në fushë. Mësoni ndeshjet e javës së 34-të

SUPERIORE/ Titulli luhet në distancë, të gjitha skuadrat zbresin

“Abissnet Superiore” luan ditën e sotme javën e 34-të me të gjitha skuadrat që zbresin në fushë në orën 16:00 për të luftuar për objektivat e tyre.

Tirana kryesuese ndeshet në transfertë me Laçin. Bardheblutë kërkojnë me çdo kusht fitore për të vazhduar të qetë në garën për titull, ndërsa kurbinasit gjithashtu do të luftojnë për tre pikët në mënyrë që të mos dorëzohen në garën për Europë.

Në “Arenën e Demave”, Partizani do të presë Vllazninë. Të kuqtë nuk i kanë humbur shpresat për titullin kampion, teksa shpresojnë te një gafë e Tiranës, ndërsa shkodranët, ashtu si Laçi, kërkojnë me çdo kusht Europën.

Egnatia e vendit të tretë do të presë Erzenin. Rrogozhinasit kërkojnë ta lënë pas atë humbje me Kastriotin në mesjavë dhe të rikthehen dhe njëherë te fitorja, në mënyrë që të forcojnë pozitat në zonën europiane. Nga ana tjetër, shijakasit ndodhen në zonën e ftohtë dhe kërkojnë të marrin tre pikët e para që nga 10 marsi.

Në Ballsh luhet një finale mbijetese mes Bylisit dhe Kukësit. Të dyja skuadrat vijnë nga një fitore në mesjavë dhe kështu duan të vazhdojnë në mënyrë që të shmangin rënien nga kategoria.

Teuta pret Kastriotin në “Niko Dovana”. Durrsakët kanë ende disa shanse për Europën dhe kërkojnë t’i luajnë ato deri në fund, teksa tre pikët duhen për të shmangur përfundimisht dhe rënien, ndërsa krutanët morën një fitore të madhe në mesjavë përballë Egnatias, teksa shpresojnë ende te mbijetesa.

NDESHJET:

LAÇI – TIRANA 16:00

PARTIZANI – VLLAZNIA 16:00

EGNATIA – ERZENI 16:00

BYLIS – KUKËSI 16:00

TEUTA – KASTRIOTI 16:00.