SPORT, 17 Nëntor 2023, 14:22

Moldavia, një rival që na ka sjellë fat, Kombëtarja shqiptare shënoi fitoren e parë jashtë fushe në Kishinau

Moldavia, një rival që na ka sjellë fat, Kombëtarja

Kombëtarja shqiptare ka një histori me 375 ndeshje të luajtura që nga viti 1946 dhe deri më tani. Mirëpo, për triumfin e parë zyrtar në një takim eliminator, i duhesh të priste 49 vite.

Pra, në ndeshjen e 121-të në historinë e saj, më 7 qershor 1995, në Kishinau të Moldavisë, arriti fitoren e parë jashtë fushe, duke fituar 2-3. Edhe herën e dytë në Kishinau, Shqipëria fitoi 0-4, që është edhe fitorja më e thellë jashtë fushe në një ndeshje zyrtare.

Pra, Moldavia është një rival që i ka sjellë fat ekipit tonë kombëtar.

Sonte në mbrëmje është hera e tretë, ku shpresohet të vijohet me këtë ogur të mirë, për të sjellë një tjetër kuriozitet, aty ku vendoset fati i Shqipërisë në Evropian, kësaj here do të mjaftonte edhe një barazim.

Për kuriozitet, fitorja e parë jashtë fushe është në një miqësore të luajtur në Athinë kundër Greqisë më 4 shtator 1991, duke fituar 0-2 me dy gola të Sokol Kushtës. Keqardhje që ishte vetëm miqësore.

Rrëfimi i Lirim Zallës

Më 7 qershor 1995, në Kishinau të Moldavisë, Kombëtarja shqiptare e drejtuar nga Neptun Bajko, merrte fitoren e parë jashtë fushe në historinë e saj gjatë një edicion eliminator të vlefshëm për kualifikueset e Europianit 1996, që u zhvillua në Angli dhe në fund u fitua nga Gjermania.

Kuqezinjtë triumfuan 2-3 në “Republican Stadium” të kryeqytetit moldav, ndërsa ishin pjesë e grupit 7, ku e mbyllën të fundit në renditje me kundërshtarë si Gjermania, Bullgaria, Gjeorgjia, Moldavia dhe Uellsi.

28 vite më parë ishte shumë i vështirë transmetimi i ndeshjeve në Televizionin Publik Shqiptar, kur Kombëtarja luante në transfertë. Megjithatë, gazetarët dhe operatorët e kohës në TVSH, gjenin mënyra për të filmuar ndeshjen dhe për të përcjellë më pas te tifozët, emocionet që të jep ekipi kuqezi.

Si për ironi të fatit, Moldavi-Shqipëri 2-3, është nga ato ndeshje që tifozët shqiptarë nuk e kanë ndjekur dot në ditën që është zhvilluar, por kanë pritur 24 orë për të parë pamjet filmike të triumfit historik.

Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, gazetari i njohur sportiv, Lirim Zalla, tregon detaje të pathëna nga ndeshja në Moldavi, si dëshmitar i asaj që ndodhi në stadium, në një kohë që sot, 28 vite më pas, kuqezinjtë luajnë në Kishinau për një “biletë” kualifikimi.

Kohët kanë ndryshuar shumë, por Zalla kujton vuajtjet e asaj periudhe, ku kuqezinjtë e kishin të vështirë edhe për të udhëtuar, e jo më të mendohej që të jepej ndeshja direkt në “TVSH” nga Moldavia.

Lirim, ju keni qenë në Moldavi në ndeshjen që Kombëtarja fitoi për herë të parë në transfertë në vitin 1995. Si e kujtoni?

E kujtoj shumë mirë, pasi ka qenë udhëtimi i parë me një avion çarter i Kombëtares shqiptare. Personalisht kam pasur me frikë të udhëtoja dhe mesa më kujtohet, ka qenë një avion i prodhimit rus.

Gjithsesi, udhëtuam bashkë me ekipin dhe mbërritëm në Kishinau pas rreth tre orësh. Ishte një udhëtim me qejf të madh tek ata që ishin bashkë me Kombëtaren në avion, pasi përveç gazetarëve dhe fotoreporerëve, kishte edhe shumë njerëz të tjerë që kanë pasur lidhje me komunitetin e futbollit.

President i FSHF-së ka qenë Edmond Spaho, ndërsa sekretar Eduard Dervishi. Më kujtohet që mora me vete një kamera dhe bashkë me mua, erdhi edhe një nga operatorët e mirë të TVSH-së, Ylli Agovi. Ajo që më ka mbetur në memorie, ishte se gjetëm një Moldavi shumë të dobët si vend nga ana ekonomike dhe që kishte mbetur mbrapa edhe si zhvillim në krahasim me Shqipërinë. Kishte një infrastrukturë që linte për të dëshiruar, ndërsa stadiumi ishte thuajse si pamja e trishtë e “Selman Stërmasit” me ato shkallët gri dikur.

Në fushë pati përmbysje rezultati dhe në fund triumf 2-3. Çfarë mbani mend nga ndeshja që u zhvillua dhe kush ju është fiksuar më tepër nga lojtarët që dalluan?

Mbaj mend që ne e dominuam kryesisht lojën. Lojtarët më të mirë në fushë atë ditë për mua kanë qenë Arian Bellai, Sokol Kushta, Rudi Vata dhe Salvador Kaçaj. Për këtë të fundit ka qenë ndoshta ndeshja më e mirë e karrierës së tij.

Futbollistët tanë ishin më superiorë edhe për faktin se luanin në klube më të mira jashtë Shqipërisë, ndërsa te Moldavia kishte më tepër lojtarë që bënin pjesë në atë kohë tek skuadrat e ligës së dytë rumune. Kur jam futur në stadium, bashkë me operatorin Agovi, na ka ndodhur një incident i vogël, pasi moldavët nuk donin që ne të filmonim ndeshjen.

Si ka mundësi dhe çfarë ndodhi më pas?

Ishte një kohë ku nuk funksiononin të drejtat e transmetimeve televizive. Për më tepër, transmetimet nuk ishin satelitore, por analoge. Edhe vetë në Moldavi, ajo ndeshje nuk është transmetuar direkt në televizion. Megjithatë, unë ju thashë moldavëve, se kamera që kishim marrë me vete dhe kërkonim të filmonim ndeshjen, është e Federatës.

Pra, u përpoqa që t’i bindja se do ta filmonim ndeshjen me synimin që ta kishim në arkivën tonë dhe që trajneri të kishte mundësi të analizonte taktikën në kuadër të takimeve të ardhshme. Pasi na lejuan të filmonim, unë komentova me regjistrim, ndërsa në stadium kishte vetëm dy kamera gjithësej. Merreni vetë me mend se çfarë periudhe…!

Si e transmetuat më pas për tifozët shqiptarë?

Në ditën e ndeshjes nuk ka pasur pamje filmike që televizioni të kishte mundësi të bënte një kronikë për atë fitore. U luajt në një orar pasditeje, ku u errësua vetëm pas përfundimit të ndeshjes. Për fat të mirë, ne u kthyem shpejt në Tiranë, sepse ishim me çarter dhe më pas ndeshja u transmetua e plotë të nesërmen në TVSH.

Ishte një kënaqësi më vete, sepse të mendosh morëm fitoren e parë jashtë fushe. Festa në dhomat e zhveshjes ka qenë e çmendur dhe operatori Agovi ka filmuar gjithçka. Normalisht, si gazetar sportiv dhe pranë ekipit, për një gjë isha i kënaqur më tepër, që nga këto vendet lindore, Moldavia, në atë kohë ishte poshtë nesh në kuptimin e nivelit të jetesës apo infrastrukturës. Presidenti Spaho qëndroi pak muaj në krye të FSHF-së, por pas ndeshjes në Moldavi, mori një vendim unik për kohën.

Cili ishte vendimi?

Për herë të parë FSHF vendosi që t’u jepte një premio speciale lojtarëve për këtë fitore, pasi natyrisht ishte historike. Merita më e madhe për ndërtimin e asaj skuadre ishte e Neptun Bajkos. Ishte një trajner inteligjent dhe shumë komunikues me lojtarët. Dinte si t’i përgatiste ata për të shkuar te suksesi.

Gjëja më fantastike në këtë ekip ishte që luajti Artan Bano si mbrojtës i majtë, duke bërë një ndeshje shumë dinjitoze. Risi ishte fakti sepse ai vinte nga Kategoria e Dytë, sepse në atë sezon Lushnja nuk ishte pjesë e elitës. Bano e përjetoi më shumë nga të gjithë, pasi u bë protagonist në fitoren e Kombëtares i ardhur nga Kategoria e Dytë, që ishte diçka e rrallë.

Si për ironi të fatit, Kombëtarja rikthehet 28 vite më pas në Kishinau, por sot kërkon kualifikimin në Europian. Çfarë ndeshjeje prisni?

Mendoj se e kemi shumë të vështirë ndeshjen ndaj Moldavisë, por nuk do humbasim. Besoj se do të marrim atë që na duhet nga ky takim.