TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në NBA vijojnë sfidat e sezonit të rregullt, ndërsa në orët e para të mëngjesit të djeshëm janë zhvilluar plot dhjetë ndeshje në të dyja konferencat. Ndërkohë, përveç spektaklit të zakonshëm, NBA-ja ka dhuruar edhe një sherr masiv në takimin ndërmjet Golden Stejt dhe Minesotas, e fituar 104-101 nga miqtë.
Pas vetëm një minute e gjysmë që kishte nisur loja, në fushë ndodhi një incident i rëndë, që solli 3 lojtarë të përjashtuar. Fillimisht u kapën në fushë basketbollistët Klei Tompson e Rudi Gobert, që solli ndërhyrjen e gjyqtarëve dhe të lojtarëve të tjerë. Menjëherë u përfshi edhe Draimond Grin, që kap për fyti francezin Gobert si në duelet e UFC-së, duke e tërhequr zvarrë në parket. Në fushë u futën edhe lojtarët e stolit për ti ndarë, ndërsa u krijua një kaos i vërtetë. Për fat të mirë, asnjë grusht apo pasojë të rënda fizike për basketbollistët, as për Gobert që u kap nga fyti.
Grin, i cili njihet për gjaknxehtësinë e tij, tashmë rrezikon një dënim të gjatë. Tre lojtarë dolën nga loja me teknikë përjashtimi: Klei Tompson e Draimond Grin për “Warriors”, si dhe Rudi Gobert për “Timberwolves”. Kjo solli mjaft probleme për vendësit, të cilët para ndeshjes kishin humbur për dëmtim edhe Stefën Kërrin, gjë që në fund pati ndikim edhe në rezultatin final. Kjo ishte humbja e katërt radhazi për Golden Stejt, që tashmë ndodhet në krizë. Në takimet e tjera, Lejkrësat shënuan fitore 134-107 ndaj Memfis, duke regjistruar suksesin e tretë radhazi.
Një lojë e mirë kolektive nga verdh-lejlatë, ku 7 lojtarë realizuan mbi 10 pikë. Denver ruan kreun e renditjes në Perëndim, pas fitores 111-108 ndaj Klipers. Shkëlqeu Jokiç me 32 pikë e 16 ribaund. Në Lindje, humbet ekipi kryesues i Filadelfia, që u mund në shtëpi 132-126 nga Indiana. Një ndeshje me rivalitet, ku për miqtë spikati Haliburton me 33 pikë e 15 asiste. Fitore edhe për skuadrën e Majemit, që falë 32 pikëve të Butler, mposhtu me rezultatin 111-105 Sharlotën, ndërsa Atlanta, e udhëhequr nga Mërrej (32 pikë), triumfoi 126-120 ndaj Detroit. Në tabelë pasqyrohen rezultatet e dhjetë sfidave të zhvilluara në orët e para të mëngjesit të djeshëm në NBA.