TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Që prej nënshkrimit të marrëveshjes ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në mars 2025, Beogradi e ka parë me frikë dhe shqetësim këtë bashkëpunim trepalësh. Vetë presidenti Aleksandër Vuçiç ka deklaruar në disa raste se aleanca bie ndesh me interesat e Serbisë, madje duke paralajmëruar se vendi i tij duhet të jetë i përgatitur për çdo mundësi. Reagimeve të Beogradit iu përgjigj këtë të hënë edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, kur gjatë konferencës së përbashkët me homologun kroat Gordan Grliç-Radman. tha se bashkëpunimi mes aleatëve nuk duhet të përdoret nga askush si justifikim për militarizimin e rajonit.
"Si dy vende anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Kroacia kanë përgjegjësi dhe kontribuojnë në mënyrë aktive për paqen e stabilitetin rajonal, si dhe atë ndërkombëtar, duke përfshirë pjesëmarrjen në KFOR në Kosovë dhe EUFOR ALTHEA në Bosnjë-Hercegovinë. Prandaj çdo angazhim i yni, koordinim dypalësh, tripalësh apo më shumë nuk duhet të shqetësojë askënd e as të përdoret nga askush, në rajon apo jashtë tij, për të justifikuar militarizimin e vendit e shoqërisë e aq më pak për t’i fryrë zjarreve të rrezikshme të luftërave dhe për të rikthyer thirrjet arkaike për fitore e përkatësi territoriale. Kushdo që ëndërron një kthim pas në histori duhet të kuptojë se në të vërtetë ka mbetur pas në kohë dhe në mendësi. Asnjë përpjekje për të ringjallur ndasitë e së kaluarës, për të ushqyer tensione apo për të penguar proceset e pajtimit dhe bashkëpunimit nuk do të mund ta tërheqë zvarrë rajonin dhe as të cenojë të ardhmen tonë të përbashkët evropiane", tha Hoxha.
Ministri u ndal edhe te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin tha se mbetet i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e së kaluarës.
"Dialogu Kosovë-Serbi nuk mund të ndërtohet mbi revizionizmin historik, mohimin e fakteve, lartësimin e kriminelëve të luftës apo përmes retorikave nacionaliste, përçarëse dhe deklaratave të papranueshme që relativizojnë, justifikojnë ose u japin jehonë krimeve të luftës dhe politikave të dënuara si nga drejtësia ndërkombëtare, ashtu edhe nga ndërgjegjja njerëzore.", tha ai. Përveç zhvillimeve në rajon, Hoxha ritheksoi edhe objektivin e qeverisë shqiptare për mbylljen e procesit teknik të negociatave me Bashkimin Evropian brenda vitit 2027. Ai falënderoi Kroacinë për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në këtë proces dhe tha se reformat do të vijojnë me të njëjtin ritëm.
"Qeveria shqiptare vazhdon të punojë me përkushtim e angazhim të dorës së parë për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe reformat e kërkuara, me qëllim realizimin e objektivave të vendosura, për mbylljen e procesit teknik të negocimit brenda vitit 2027. Në këtë proces nuk ka as pauzë e as pushim."
Dy ministrat diskutuan gjithashtu për forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Kroacisë, rritjen e bashkëpunimit në energji, turizëm dhe infrastrukturë, si dhe për riaktivizimin e linjës direkte ajrore Tiranë-Zagreb, zhvillimin e lidhjeve detare dhe avancimin e projekteve të përbashkëta rajonale.