SPORT, 17 Nëntor 2023, 09:22

Shënoi golin e fitores në Moldavi, ish-kapiteni Vata: Më “bekoi’ Bledar Kola, aty e morëm vesh për triumfin e parë jashtë…

Shënoi golin e fitores në Moldavi, ish-kapiteni Vata: Më

Sokol Kushta dhe Arian Bellai shënuan dy golat e parë në transfertën moldave më 1995. Por, goli me të cilin u vendos fitorja e parë jashtë fushe, u shënua nga Rudi Vata. 

Kur rezultati ishte 2-2, Shqipëria fiton një goditje dënimi dhe Bledar Kola që i merrte përsipër ia jep topin Vatës: “Bjeri Rud, godite ti”, tregon Rudi Vata 28 vite më vonë në një intervistë për “Panorama Sport”. Ish-kapiteni kuqezi ka edhe një koment për ndeshjen e sotme, ku mendon se të gjithë lojtarët e kanë mundësinë që të bëjnë diferencën, por sipas tij atë do ta zgjidhë lideri Berat Gjimshiti.

Shënuat golin që i dha fitoren skuadrës…

Mbaj mend që ishte një goditje dënimi dhe kisha shumë besim. Kisha shënuar më duket kundër Gllasgou Rejnxhërsit në Skoci nga goditja e dënimit dhe kisha marrë një besim. Bledar Kola, që ishte lojtari, i cili merrte përsipër goditjet e dënimit sepse ishte lojtari më teknik në skuadër, e sheh që isha me besim dhe më thotë: ‘Bjeri Rud, godite ti’. Normalisht kjo fryma e komunikimit, toleranca, sepse aty unë i mora pak edhe autoritetin Bledarit, sepse ai ishte më i specializuari për këto goditje. Qëlloi me vend. Unë kisha besim që të paktën do të godisja katërkëndëshin e portës dhe me pak fat përfundoi në rrjetë.

Ishte fitorja e parë jashtë fushe, si u prit?

Aty e morëm vesh që Shqipëria nuk kishte fituar asnjëherë jashtë fushës për më shumë se 40 vite. Kishte një lloj ndjesie të veçantë sepse normalisht në atë kohë ne ishin një vend që kishim shumë probleme, vuajtje, sakrifica nga njerëzit. Për mua dhe për ekipin kombëtar ka qenë një moment i lumtur. Ç’mund të them më tepër. Futbolli është i tillë, që të gëzon shumë, por edhe të hidhëron shumë. Një zanat që nuk mundesh asnjëherë të jesh shumë i gëzuar, por në të njëjtën kohë nuk mund të rrish shumë i mërzitur. Situatat ndryshojnë shumë shpejt. Thjesht duhet të jesh gati për betejën e radhës.