SPORT, 4 Qershor 2023, 20:08

Erzeni qëndron në Superligë, i shënon 3 gola Korabit në “Niko Dovana”

Erzeni qëndron në Superligë, i shënon 3 gola Korabit në

Erzeni do të luajë në sezonin tjetër në Superligë, pasi mundi 2-1 në finalen e Play-Out Korabin, në sfidën e luajtur në “Niko Dovana”.

Skuadra nga Shijaku festoi pas vetëm 3 minutash lojë, teksa Sadiki u kordinua mirë me kokë, për të dërguar sferën pas shpinës së portierit.

Dibranët reaguan shumë mirë dhe vendosën ekuilibrat në minutën e 19-të. Rrotullim fantastik i Tabakut, i cili tregohet i saktë me një goditje me të majtën fare pranë portës.

Në të 25-tën, Erzeni fitoi penallti pas një kontakti në zonë Mehmeti-Selmani, por 11-metërshi u anulua pas rishikimit me VAR.

Në fillimin e pjesës së dytë, Kadriu provoi të zgjidhte ndeshjen vetë me një goditje, gjithsesi topi nuk shkoi në portë. 90 minutat nuk prodhuan fitues dhe skuadrat u desh t’i drejtoheshin shtesave.

Të besuarit e Alfred Deliallisit “tundën rrjetën” në minutën e 97-të, falë Mehmetit, duke siguruar qëndrimin në elitë.

I lumtur pas ndeshjes është shfaqur për mediat trajneri i skuadrës nga Shijaku, Alfred Deliallisi.

“Kam 3 javë që nuk i kam bërë 6 orë gjumë. Janë emocione të mëdha, faleminderit djemve. Ata kanë bërë krenarë të gjithë qytetin sepse janë të gjithë heronj. Falenderoj Xhevahir Kapllanin për mundësinë që më dha. Emocionet kanë qenë të mëdha, ka qenë një ndeshje e luftuar.

Nuk ishte çudi që kundërshtari ynë erdhi deri këtu. Djemtë janë heronjtë e Shijakut. Ndeshja s’kishte fund, shikoja orën dhe i jepja lojtarëve kurajo dhe besim. Ishte një sakrificë dhe falenderoj të gjithë për këto emocione.” – tha ai.

Tekniku i Korabit, Shpend Kumbarçe ka analizuar për mediat humbjen 2-1 ndaj Erzenit.

“Sinqerisht, falënderoj çunat për këtë kampionat të mrekullueshëm. Kampionati është shumë i vështire, kemi bërë më të mirën tonë të mundshme. Sporti është edhe fat. Uroj ekipin e Erzenit, që e meritoi fitoren për mendimin tim.

Duke njohur presidentin e Korabit, jam i sigurt që ai do të ndërtojë një ekip që do të pretendojë edhe sezonin tjetër ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar. Për fatin tim të keq, jemi ndalur në dy ndeshjet finale të Play Out-it. Dhamë atë që kishim mundësi të jepnim dhe morëm atë që meritonim. U thashë djemve mos u mërzitni, janë djem të rinj. I tillë është futbolli, ka vetëm një fitues. Korabi ka skuadrën më të re në moshë në Kategorinë e Parë dhe kemi një grup lojtarësh, një bosht që premton edhe për sezonin e ardhshëm”- tha ai.