SPORT, 23 Nëntor 2021, 12:07

Çelsi “tremb” Juventusin me Lukakun, Tuhel: Nuk do të rrezikojmë për të marrë fitoren

Çelsi “tremb” Juventusin me Lukakun, Tuhel: Nuk do të

Abramoviç në tri bunë, Lukaku ndoshta në stol. Këto janë dy lajmet nga kampi i kampionëve të Europës në vigjilje të ndeshjes kundër Juventusit, e vlefshme për javën e pestë të grupeve të Ligës së Kampioneve.

Pronari rus i bluve të Londrës, prej pranverës së vitit 2018 (kur i është mohuar rinovimi i vizës), është parë shumë pak herë në “Stamford Bridge”, ndërkohë që sulmuesi belg mori pjesë në stërvitjen e parë të dielën pas dëmtimit në kavilje kundër Malmos.

Dhe Tomas Tuhel do të presë deri në fund nëse do ta grumbullojë apo jo për duelin e sotëm. “Romelu dukej në rregull në stërvitje të dielën, kështu që do të shohim reagimin e tij. Ai ka një takim me doktorët dhe fizioterapistët. Ndoshta ne do të grumbullojmë 20 lojtarë për këtë ndeshje.

Nuk është vetëm dyshimi i Lukakut. Zhorzhinjo pati një problem me Lestërin, Kovaçiç është jashtë, por edhe Haverc nuk është shumë mirë. Ne duam të fitojmë pa ndërmarrë shumë rreziqe. Nëse ndeshja do të jetë mbërthyer në barazim, atëherë do të përpiqemi që të fitojmë tri pikët, por pa ndërmarrë rreziqe të kota”, tha tekniku gjerman në konferencën për shtyp. Tuhel u pyet të komentonte edhe shkarkimin e kolegut Ole Gunar Solskjaer nga stoli i Mançester Junajtidit:

“Unë e kam kokën te Çelsi dhe gjërat tona. Mund vetëm të them se, për sa më takon, nuk ekziston një vend më i mirë se ky për të menaxhuar. Jam me fat që jam trajner i Çelsit. Për mua është një vend perfekt”.

Çelsi u mund 1-0 në Torino në ndeshjen e vajtjes më 29 shtator dhe kampionëve në fuqi u mjafton vetëm 1 pikë për të siguruar kualifikimin në 1/8-at në dy ndeshjet e fundit.

Ndërkohë që një fitore mund të rihapte garën për vendin e parë në grup. Juventusi e ka prerë biletën në 16 skuadrat më të mira dhe ka edhe një diferencë më të mirë golash nga anglezët: +7 kundër +5. Një motiv i mirë për ta përballuar ndeshjen në “Stamford Bridge” me kujdes, por pa stres.