AKTUALITET, 4 November 2026, 13:40

Aksioni/ IKMT bllokon dy raste të transportit të paligjshëm të druve në Dibër, sekuestrohet materiali

Aksioni/ IKMT bllokon dy raste të transportit të paligjshëm

Drejtoria Rajonale e IKMT-së në Dibër ka bllokuar mbrëmjen e kaluar dy raste të transportit të paligjshëm të lëndës drusore, gjatë kontrolleve të ushtruara në akset rrugore të qarkut.

Ndërhyrja e parë u krye në aksin Muhur-Selishtë, ndërsa rasti i dytë u konstatua në rrugën që lidh Burrelin me Urakën. Gjatë verifikimeve, punonjësit e IKMT-së evidentuan se transportimi i materialit drusor kryhej pa dokumentacionin përkatës ligjor.

Në të dyja rastet, lënda drusore u sekuestrua dhe iu vu në dispozicion njësisë vendore. Ndërkohë, ndaj drejtuesve të mjeteve u vendosën masa administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

IKMT bën me dije se kontrollet për parandalimin dhe ndëshkimin e transportit të paligjshëm të lëndës drusore dhe ndërhyrjeve të kundërligjshme në zonat pyjore do të vijojnë në të gjithë territorin e vendit.