TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Për të 14-ën ditë me radhë, banorët e Divjakës kanë dalë edhe mbrëmjen e sotme në protestë, për të kundërshtuar propozimin e PS për hartën e re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive, mes të cilave edhe asaj të Divjakës (që do bashkohet me bashkinë Lushnjë).
Me thirrjet e përnatshme ‘Divjakë bashki’, qytetarët e Divjakës kanë deklaruar se harta e re territoriale do u vështirësonte atyre marrjen e shërbimeve.
Gjatë mbrëmjes së sotme protestuesit në shesh dhe para mikrofonit kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të bashkisë, Josif Gorrea, “për të ruajtur dinjitetin e tij dhe të Divjakës”.
Një kërkesë ata e kishin edhe për këshilltarët e Këshillit Bashkiak, të cilëve u kanë kërkuar që të kundërshtojnë fuqishëm reformën territoriale.
Në kor protestuesit janë shprehur se do të rezistojnë derisa të arrijnë qëllimin, ruajtjen e bashkisë Divjakë.
“Të mendojnë për njerëzit e Divjakës. Anëtarët e këshillit do të bëjnë histori nesër, jo të fshihen si minjtë. Të mendojnë për këta fëmijët e vegjël dhe për ne. Nesër anëtarët e Këshillit duhet të bëjnë histori. Mos të flenë gjumë, se nuk i mban Edi Rama ata. Se do ua marrin edhe shtëpitë”, tha mes të tjerash një protestues.
“14 ditë rezistencë e qytetari nga Divjaka. Ku është administrata që vijon të paguhet edhe tani, edhe këto ditë? Dalja juaj në shesh është vetëm për të fituar. Nëse ndonjëri prej ju e ndjen realisht se i shërben dhe duhet t’i shërbejë atij institucioni që i jep këtyre qytetarëve shërbimin pranë vendbanimit, atëherë duhet të dilni në shesh”, tha një protestuese.
Gjatë marshimit në rrugët e qytetit, protestuesit kanë bërë thirrje që edhe qytetarët e tjerë ti bashkohen protestës.