TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pedagogu Sandër Kovaçi u ka bërë thirrje prindërve dhe qytetarëve të mbështesin protestën e studentëve dhe nxënësve shqiptarë, duke njoftuar një marshim drejt Kryeministrisë kundër dhunës policore.
Ai i është përgjigjur edhe thirrjes së kryeministrit Edi Rama për dialog, duke theksuar se palë në bisedime duhet të jenë studentët.
“Ju bëjmë thirrje prindërve dhe qytetarëve që të mbështesin protestën e studentëve dhe nxënësve shqiptarë. Në mënyrë simbolike sot do të kemi përpara një baner që bën thirrje kundër dhunës së policisë dhe do të marshojmë drejt kryeministrisë. Mora vesh që ka vendosur ca karrige rozë dhe thotë që ju pres për dialog. Zoti kryeministër, pedagogët nuk kanë dialog me ju, me ju kanë dialog studentët. Zgjidhni problemet me studentët, atëherë keni zgjidhur edhe problemin e pedagogëve. Nuk ka komunikim me pedagogët”, tha pedagogu.
“Rama të japë dorëheqje, t’i hapë rrugë zgjidhjes politike”
Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi në fjalën e tij para të gjithë pedagogëve, i kërkoi kryeministrit Rama që të japë dorëheqjen dhe t’i japë zgjidhje politike situatës së krijuar.
Teksa tha se padogëgët janë në mbështetje të të rinjve, ai dënoi dhunën e ushtruar nga policia ndaj të rinjve që protestojnë.
Sipas tij, kjo qeveri nuk i dëgjon studentët dhe kur nuk dëgjon protestat paqësore do përballesh me të rinj të revoltuar.
“Kjo është një qeveri që nuk dëgjon. Meqë nuk dëgjoi studentët është logjike që do eskalonte kjo lëvizje. Kur nuk i përgjigjesh protestave paqësore, do presësh protestues të revoltuar.
Fatkeqësisht qeveria dhe kryeministri në vend që ti përgjigjej protestuesve paqësore sot ajo iu përgjigj me dhunë. Ajo që është më e keqja është se në kemi parë edhe persona civilë që rrezikojnë jetën e qytetarëve, ne si profesorat jemi të shqetësuar. Brutaliteti ndaj rinisë shqiptare është e papranueshme. I bëjmë thirrje përfaqësive ndërkombëtare, ambasadave që të hedhin sytë nga Shqipëria dhe nga ky brutalitet”, tha Kovaçi.
“Në mbështetje të tyre kemi vendosur që të bëjmë një marsh kundër dhunës së policisë. Sot duhet një zgjidhje dhe zgjidhja duhet të vijë nga politika”, tha Kovaçi, i cili kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Ai bëri thirrje që pedagogët të dalin çdo ditë në orën 10:00 para Universitetit Politeknik në mbështetje të të rinjve.