AKTUALITET, 19 October 2026, 22:57

Klodiana Lala rendit rastet: Policia ndërhyri në mënyrë joproporcionale, ushtroi dhunë të panevojshme ndaj studentëve

Klodiana Lala rendit rastet: Policia ndërhyri në mënyrë

Gazetarja Klodiana Lala në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus renditi disa prej rasteve të shumta të dhunës policore ndaj protestuesve, duke thënë se policia ka ndërhyrë në mënyrë joproporcionale dhe ka patur ushtrim dhune të panevojshëm.

“Kam kritika për Policinë e Shtetit, jo në të gjithë rastet dhe jo e gjithë trupa, por ka patur përdorim force joproporcionale. Nëse e kanë bërë nën urdhër politik, apo prej paaftësisë, duhet hetim i thelluar. Por kam konstatuar, në ndërhyrjet fizike pasi shpërndahen protestuesit, që kanë qenë kryesisht të rinj dhe të reja, pasi shpërndahen, në momentin që forcat e ndërhyrjes së shpejtë ndërhyjnë, proporcioni është më lart se sa kërkohet. Protestuesit janë të pambrojtur. Janë të rinj me maska kirurgjikale, maksimumi kapuçë dhe shall. Kur hidhet gaz ata largohen, hyjnë në rrugica për t’u shmangur. Kur ndërhyhet fizikisht, ka numër të madh policësh, kur ka patur raste protestues të rrëzuar, janë goditur, edhe kur janë në pamundësi për t’u mbrojtur. Kemi rastin te Ministria e Arsimit, ku punonjësi i policisë goditste protestuesin e shtrirë. Në rastin tjetër një qytetari iu thye këmba, nuk u ndoq protokolli. 

Klevi Metaj që u shndërrua në simbol, u mbajt i lidhur me pranga te dera e qelive të sigurisë, nuk u dërgua menjëherë në spital. 

Shenjat e dhunës ishin të dukshme në fytyrë dhe trup. Janë raste që kanë dëshmuar se policia ka ndërhyrë në mënyrë joproporcionale dhe ka patur ushtrim dhune të panevojshëm. 

Strategjia në dy netët e fundit, kur policia ka tentuar të mbajë larg qytetarët, i ka futur në rrugica të pandriçuara, që të mos ketë mundësi të fokusohen nga media. 

Kam prova dhe i kam transmetuar live”- tha Lala.