AKTUALITET, 21 August 2026, 13:27

"Rama, asnjë hap pas"/ Spaho: Shqipëria nuk është Palestinë, as koloni e Sorosit dhe e të majtës reaksionare botërore!

Ish deputeti i PD, Edmond Spaho shprehet se revolucionit Flamingo është produkt i sharlatanëve të majtë dhe globalistëve ndërkombëtarë, midis të cilëve perandoria e Soros, për interesa të tyre ideologjike dhe ekonomike e financiare, e për këtë i ka bërë thirrje Kryeministrit që të mos bëjë asnjë hap pas me ta.

"Organizata në shërbim të palestinezëve, Global Sumut Flotilla, e udhëhequr nga Wael Nawar, Sümeyra Akdeniz-Ordu, Saif Abu Keshk, e financuar nga burimet më të errëta arabe dhe Soros, pajisur me filozofinë më radikale islamiste, me lidhje të dukshme dhe të fshehta me Hamas, sot po del hapur në mbrojtje të Revolucionit Flamingo dhe bën thirrje shqiptarëve për të mbrojtur Sazanin sikurse ka bërë edhe për Gazën. Çfarë lidhje ka Sazani me Gazën? Kush i lejon këta anarkistë ndërkombëtarë të bëjnë paralele të tilla dhe të fusin hundët në punët e një vendi sovran?", shkruan Spaho në rrjetin social!

Postimi i Spahos:

Kam deklaruar që në ditën e parë të Revolucionit Flamingo dhe shkruar më pas, që ai është produkt i sharlatanëve të majtë dhe globalistëve ndërkombëtarë, midis të cilëve perandoria e Soros, për interesa të tyre ideologjike dhe ekonomike e financiare, si dhe i kam bërë thirrje Kryeministrit që të mos bëjë asnjë hap pas me ta.

Kam marrë anatemime, sharje, kërcënime, mallkime e ofendime sidomos nga ndjekësit e Partisë Demokratike dhe bashkëpjesëmarrësit e saj në këtë revolucion antikombëtar.

Koha më dha të drejtë!

Konspiracioni i të majtës ndërkombëtare për ta kthyer Shqipërinë në shesh beteje me ndjekësit e Trump kur në SHBA zhvillohen zgjedhjet vendimtare të mesmandatit, për të anuluar dy investime jetike për vendin tonë si dhe për të rrëzuar qeverinë e saj legjitime, me pasoja fatale për procesin e integrimit europian, sot nuk mund të mbulohet më me shoshë.

Organizata në shërbim të palestinezëve, Global Sumut Flotilla, e udhëhequr nga Wael Nawar, Sümeyra Akdeniz-Ordu, Saif Abu Keshk, e financuar nga burimet më të errëta arabe dhe Soros, pajisur me filozofinë më radikale islamiste, me lidhje të dukshme dhe të fshehta me Hamas, sot po del hapur në mbrojtje të Revolucionit Flamingo dhe bën thirrje shqiptarëve për të mbrojtur Sazanin sikurse ka bërë edhe për Gazën.

Çfarë lidhje ka Sazani me Gazën? Kush i lejon këta anarkistë ndërkombëtarë të bëjnë paralele të tilla dhe të fusin hundët në punët e një vendi sovran?

Me çfarë të drejte ngrihen këta dhe të kërkojnë anulimin e dy investimeve shumë të mëdha e jetike për Shqipërinë dhe që Soros i konsideron rrezik për perandorinë e tij financiare?

Cilët janë ata sharlatanë në Shqipëri dhe jashtë saj, të cilët duan ta bëjnë vendin dhe qytetarët tanë pjesë të një beteje me SHBA, të na lidhin me Palestinën dhe Hamasin të cilët edhe vendet arabe po i braktisin, të na bëjnë pjesë të një koalicioni me të cilin jo vetëm nuk na lidh asgjë, por përkundrazi, dëmtojmë vendin dhe të ardhmen e tij.

A nuk e dalloni dot frymëzimin e tyre mor të mjerë, kur edhe flamingon e kanë veshur me perçe? A do bëhemi ne shtet këlysh i Lindjes së Mesme në zemër të Europës?

Ku ishin këta sharlatanë që nuk ngritën zërin kur populli shqiptar i Kosovës u shpërngul me kuç e me maç nga trojet e tij dhe me dhjetëra mijëra vetë u vranë e sakatuan, kur Palestina nuk njeh pavarësinë e saj dhe nuk do ta njohë kurrë?

Ka ardhur koha që marrëzia që na ka kapur prej 80 ditësh me marksistë, fondamentalistë, OJQ të korruptuara, pd-istë, Vlen-istë, vetëvendosje, fondamentalistë islamikë, sorosistë e socialistë të rënë nga fiku, të marrë fund.

Është në detyrën dhe nderin e Qeverisë shqiptare, që këta sharlatanë të mos i lejojë të zbresin në bregdetin shqiptar, t'i shpallë non grata dhe të ndërpresë ndërhyrjen dhe financimin e trazirave politike në Shqipëri.

Shqiptarë jini vigjilentë, mos mbështesni në Shtator lojëra që mund të na kushtojnë shumë, sikurse ka ndodhur shpesh gjatë historisë sonë.

Shqipëria ka qenë dhe do mbetet e orientuar nga Perëndimi, drejt Bashkimit Europian dhe SHBA-ve dhe asnjëherë nuk do shohë nga lindja e aq më pak nga Lindja e Mesme.

GlobalSumutFlotilla: Ne do të lundrojmë së bashku për të deklaruar që nuk do të lejojmë shitjen e tokës sonë nga Sazani në Gaza.

Të njëjtët arkitektë të cilët do të kthejnë Gazën e shkatërruar në një Rivierë do të ndërtojnë një resort elitar në Sazan.

Në të dy rastet këta neokolonialistë nuk kanë respekt për jetën e njerëzve apo habitatin natyror. Kthejnë tokën tonë të lashtë në mallra.

Ne qëndrojmë së bashku, palestinezët dhe shqiptarët, në luftën e përbashkët kundër vjedhjes së tokës dhe të ardhmes tonë.