AKTUALITET, 21 August 2026, 11:17

Kontrollet/ Sekuestrohen kallashnikovë, municion luftarak e kokainë, arrestohen babë e bir në Lushnjë

Policia ka sekuestruar armë zjarri kallashnikovë, municion luftarak, kokainë, si dhe një automjet gjatë një operacioni të zhvilluar në Lushnjë, ku janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, babë e bir. Të arrestuarit janë Sh. H., 56 vjeç dhe H. H., 24 vjeç, banues në fshatin Hajdaraj.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, në vijim të kontrolleve të shtuara për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe atë të narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin e koduar “Fokusi”. Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit Sh. H., 56 vjeç dhe H. H., 24 vjeç, babë e bir, banues në fshatin Hajdaraj, Lushnjë”, thuhet në njoftim.

“Shërbimet e Patrullës së Policisë kanë ndaluar në qytetin e Lushnjës automjetin që drejtohej nga shtetasi H. H. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe 1 krehër me municion luftarak për të, që dyshohet se i posedonte 56-vjeçari. Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me sasinë e kokainës dhe automjetin”, vijon njoftimi.

Vijojnë kontrollet në të gjithë qarkun, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në çdo fushë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.