AKTUALITET, 21 August 2026, 10:20

VIDEO/ Arrestohet 33 vjeçari, theu me grusht xhamat e autobusit pas konfliktit me shoferin! Pas sherrit fyeu dhe kërcënoi drejtuesin e urbanit

Një 33-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi ka thyer me grusht xhamat e një autobusi pas një konflikti me shoferin. 

Policia reagoi pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje, ku shfaqej një person duke goditur dhe thyer xhamat e autobusit.

Në pranga u vu shtetasi me iniciale Ç. K., 33 vjeç, i cili sipas uniformave blu ai dyshohet se është konfliktuar verbalisht për motive të dobëta me drejtuesin e autobusit, të cilin më pas e ka fyer dhe kërcënuar me tone të larta.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një shtetas duke thyer xhamat e një autobusi, bëjmë me dije se:

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kryen veprimet hetimore dhe procedurale për rastin dhe në përfundim të tyre arrestuan në flagrancë shtetasin Ç. K., 33 vjeç, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Ky shtetas dyshohet se gjatë pasdites së djeshme, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, pas një konflikti verbal për motive të dobëta me drejtuesin e një autobusi, e ka fyer atë, ka bërtitur dhe më pas ka thyer me grushte, xhamin e parmë të autobusit dhe xhamin e derës së tij.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.https://rumble.com/embed/v7ca3me/?pub=4