TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

13 persona do të dalin para togave të zeza në Sarandë këtë të premte, për t’u njohur me masat e sigurisë, pas vrasjes së bujshme të turistit portugez Luis Miguel Varela Mendes, ngjarje e ndodhur tre ditë më parë në ambientet e jashtme të një lokali në Ksamil.
Policia ka kryer kontrolle në tre qytete të vendit për kapjen e dy personave të tjerë, të shpallur në kërkim. Bëhet fjalë për pronarin e lokalit “Principotes” ku nisi sherri fizik dhe një 29-vjeçar i cili dyshohet si bashkëpunëtori kryesor në krim, pasi ka goditur me grushte turistin teksa bashkëmoshatari i tij e godiste me thikë…
Ndërkohë, në dëshminë e tij, 29-vjeçari me inicialet S.V., i cili punonte si truprojë te beach bar-i, ka theksuar se gjithçka ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes. Sipas tij, thika ishte e turistit 20-vjeçar dhe se zanafilla e konfliktit ishte momenti që ai u ka kërkuar një grupi turistësh të mbajnë qetësi, me pretendimin se këta të fundit ishin nën efektin e alkoolit. Vetë ai, i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore për shkak se ka shenja goditjeje në trup.
Në pamjet e kamerave të sigurisë duken vetëm momentet e para të sherrit dhe, për shkak të njerëzve që vrapojnë, nuk dallohet qartë. Pjesa tjetër nuk është filmuar nga kamerat, për shkak të distancës dhe errësirës.
Personat e përfshirë dhe rolet e tyre në ngjarje
1. Sokrat Lipan alias Sokrat Vata – autori i dyshuar i krimit, i arrestuar.
2. Nuh Mahmutoglu – shtetas turk, i arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
3. Ezgi Perlak – shtetase turke, e arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
4. Serxhi Selimi – kamerier në lokal.
5. Ervis Bunci – kamerier në lokal.
6. Ildi Cekani – kamerier në lokal.
7. Murat Zhabina – kamerier në lokal.
8. Miosid Matushaj – oficer i Policisë në Gjirokastër; i arrestuar, por ende nuk është pezulluar nga detyra.
9. Luciano Seferi – punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier; i arrestuar, por ende nuk është pezulluar nga detyra.
10. Romeo Shehu – polic bashkiak në Gjirokastër; i arrestuar dhe i pezulluar nga detyra.
11. Kristi Koshi – i arrestuar; funksioni apo vendi i tij i punës nuk dihet.
12. David Heurtevent – klient në lokal, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në krim.
13. Bekim Bulica – pronar i lokalit, i shpallur në kërkim për fshehjen e krimit.
