AKTUALITET, 20 August 2026, 15:10

Qeveria rrit huamarrjen e brendshme, 258.5 miliardë lekë tituj të shitur në 7 muaj

Qeveria rrit huamarrjen e brendshme, 258.5 miliardë lekë tituj të

Qeveria shqiptare ka vijuar të rrisë huamarrjen në tregun e brendshëm gjatë vitit 2026. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nga fillimi i vitit deri në fund të korrikut janë shitur 258.5 miliardë lekë tituj qeveritarë.

Shifra është 1.2 miliardë lekë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, duke sinjalizuar një nevojë më të madhe për financim përmes borxhit të brendshëm. Instrumenti më i përdorur gjatë këtij viti kanë qenë bonot e thesarit. Muajt janar dhe mars kanë regjistruar vlerat më të larta të emetimeve.

Titujt qeveritarë emetohen fillimisht në tregun primar, ku blihen kryesisht nga bankat tregtare dhe institucionet financiare. Më pas, këta tituj mund të tregtohen në tregun sekondar mes bankave dhe investitorëve, pa përfshirë drejtpërdrejt qeverinë në transaksion.

Sipas raportit të Ministrisë së Financave për muajin korrik, yield-i mesatar i ofertave konkurruese për bonot e thesarit 12-mujore ishte 2.67%. Ndërkohë, në tregun sekondar gjatë korrikut u realizuan vetëm dy transaksione nga bankat zhvilluese të tregut, me një vlerë totale prej 9.9 milionë lekësh.

Për muajin gusht, Ministria e Financave ka planifikuar shtatë ankande, përmes të cilave synohet emetimi i 27.5 miliardë lekëve. Nga kjo shumë, 15.5 miliardë lekë janë parashikuar në formën e Bonove të Thesarit dhe 12.2 miliardë lekë në Obligacione.