AKTUALITET, 20 August 2026, 11:10

"Territorialja"/ Debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Maliqit, socialistët braktisin sallën! I moshuari ‘kërcënon’ t’i godasë me shkop

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Maliqit paraditen e kësaj të enjteje në lidhje me propozimin e PS-së për Reformën Territoriale është shoqëruar me tensione dhe debate, ndërsa këshilltarët e majtë braktisën sallën.

Mbledhja, e thirrur nga opozita, nisi rreth orës 10:00 dhe zgjati rreth 20 minuta. Në rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i qëndrimit zyrtar të Këshillit Bashkiak të Maliqit, i cili më pas do t’i përcillej Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të procesit të rishikimit të ndarjes administrativo-territoriale.

Grupi i këshilltarëve të majtë tha se nuk do të shpreheshin me një vendimmarrje për propozimin që duhet t’i dërgohet Parlamentit. Pas kësaj, kryetari i Këshillit Bashkiak deklaroi mbylljen e mbledhjes, duke shkaktuar reagime nga këshilltarët e opozitës dhe qytetarët e pranishëm.

Një i moshuar shihet i revoltuar ndërsa i drejtohet njëri prej të pranishme që të ulet, duke iu drejtuar edhe me shkopin që mbante në dorë.