TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Qiramarrësi i një lokali në Durrës ku organizoheshin lojëra fati ka përfunduar në pranga. Policia ka sekuestruar tavolina pokeri, çipsa dhe 15 celularë.
Pronari i lokalit, një 24-vjeçar, është nën hetim pasi nuk kishte lidhur kontratë me 35-vjeçarin.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Zbulohet një lokal i përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit.
Vihet në pranga organizatori që kishte marrë me qira, pa kontratë, lokalin për të zhvilluar në mënyrë të paligjshme lojërat e fatit.
Procedohet penalisht dhe pronari i lokalit që ia kishte dhënë, pa kontratë, shtetasit që e kishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit.
Sekuestrohen tavolina pokeri, çipsa dhe 15 aparate celularë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, ushtruan kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme që dyshohej se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit. Si rezultat i kontrolleve, u evidentua një rast i kësaj veprimtarie të paligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi F. T., 35 vjeç, banues në Durrës, pasi në një lokal në lagjen nr. 14 dyshohet se organizoheshin lojëra fati, nëpërmjet tavolinave të pokerit dhe aparateve celularë.
Gjatë kontrollit të aparateve celularë dhe të lokalit, u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive dhe tavolina pokeri.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan tavolina pokeri, çipsa dhe 15 aparate celularë.
Ndërkohë, u procedua penalisht shtetasi M. M., 24 vjeç, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokalit për zhvillim të paligjshëm të lojërave të fatit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.