TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas takimit me kryebashkiakët e bashkive që pritet të bashkohen me njësi më të mëdha, kryeministri Edi Rama pati dje një tjetër përballje me një prej “rebelëve” brenda PS-së, kryebashkiakun e Selenicës, Nertil Bellaj.
Në fshatin Vajzë të Selenicës u zhvillua edicioni i katërt i “Vajza Fest”, një aktivitet që tashmë është kthyer në një traditë të bukur dhe të rëndësishme për zonën. Festa bashkon traditën, kulturën, artin, sportin dhe trashëgiminë, duke sjellë në vëmendje vlerat dhe pasuritë e kësaj treve.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Nertil Bellaj tha se gjatë këtyre katër viteve Bashkia e Selenicës ka bërë shumë punë, duke ia lënë në dorë kryeministrit të vendosë për fatin e këtij institucioni.
“Kryeministër, këtu kemi edhe ujë deti, ujë të kripur. Këto na i ka falur natyra. Ashtu si Labëria e ka famëmadhe historinë, ne si bashki jemi munduar që për katër vite, famëmadhe ta bëjmë edhe bashkinë tonë, duke e çuar në një nivel tjetër të turizmit malor dhe lumor. Kemi punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë dhe të shohim pastaj se si do të shkojnë gjërat”, tha kryebashkiaku i Selenicës, i cili ka dalë hapur kundër bashkimit me Vlorën.
Pas fjalës së tij, kryeministri Rama u përgjigj me ironi, duke u ndalur te deklarata e kryebashkiakut për gjetjen e ujit të kripur në mal.
“Dua të përshëndes kryetarin e Bashkisë, Nertilin dhe ta falënderoj për informacionin për vajtjen e detit në majë të malit me ujin e kripur. Dua të përshëndes edhe ministrin e pushtetit vendor, zotin Demo, i cili është këtu i pranishëm për të kontrolluar si funksionon Bashkia e Selenicës”, tha Rama.
Pak ditë më parë, kryeministri nisi një tur konsultimesh për reformën e re territoriale, e cila, sipas variantit të propozuar nga PS-ja, parashikon zvogëlimin e numrit të bashkive nga 61 që janë aktualisht në 46.