AKTUALITET, 14 August 2026, 20:26

Makinë zjarri për çdo terren, Bashkia e Tiranës hap tenderin pas zjarreve të fundit, mjeti do të mbajë 4 mijë litra ujë

Flakët që kanë përfshirë rrethinat e kryeqytetit kanë nxjerrë në pah nevojën për mjete të posaçme për përballimin e zjarreve në zona pyjore. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka hapur tenderin për blerjen e një automjeti zjarrfikës të përshtatshëm për të gjitha terrenet.

Këtë të premte, njësia e qeverisjes vendore të kryeqytetit ka publikuar procedurën e prokurimit për blerjen e automjetit, me fond limit deri në 29 milionë lekë, ose rreth 312 mijë euro, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Financimi do të mbulohet nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2026.

Operatorët ekonomikë do të kenë një muaj afat për dorëzimin e dokumentacionit, ndërsa në thirrjen për tender janë përcaktuar edhe specifikimet teknike që duhet të përmbushë automjeti.

Sipas kërkesave, mjeti duhet të jetë i ri, i papërdorur dhe i prodhuar në një nga vendet e Bashkimit Evropian. Automjeti duhet të jetë i ngjyrës së kuqe, i pajisur me fenelina dhe të ketë të paktën gjashtë vende për personat që do të jenë në bord.

Një tjetër kërkesë lidhet me kapacitetin e automjetit për ndërhyrje në terrene të vështira. Ai duhet të ketë një depozitë uji me kapacitet minimumi 4 mijë litra, si dhe pompë me presion të lartë.

Në listën e pajisjeve të kërkuara përfshihen gjithashtu një litar shpëtimi 30 metra i gjatë dhe një set i ndihmës së parë. Pajisja e shpëtimit duhet të jetë e kombinuar elektro-hidraulike.

Garancia për automjetin do të jetë 3 vjet ose 100 mijë kilometra, ndërsa në të do të përfshihen edhe të gjitha shërbimet periodike.

Përveç specifikimeve teknike, në përzgjedhjen e fituesit do të ndikojnë edhe kriteret ekonomike dhe profesionale të kompanive pjesëmarrëse. Për t’u kualifikuar, operatorët duhet të kenë eksperiencë në kontrata të ngjashme dhe të dëshmojnë qëndrueshmëri financiare përmes bilanceve financiare të tre viteve të fundit.

Kompanitë duhet të kenë gjithashtu të paktën 50 punonjës, ndërsa në stafin e tyre duhet të përfshihen edhe profesionistë të fushës së inxhinierisë, si inxhinierë mekanikë, xhenerikë apo elektro-auto.

Një tjetër kriter i përcaktuar në tender është që operatori ekonomik të ketë në pronësi ose me qira një servis me sipërfaqe jo më të vogël se 500 metra katrorë, i cili duhet të ndodhet brenda territorit të Bashkisë së Tiranës.

Kështu, Bashkia e Tiranës synon të forcojë kapacitetet për përballimin e zjarreve, veçanërisht në zonat pyjore dhe terrenet ku ndërhyrja me mjete të zakonshme zjarrfikëse është më e vështirë.