AKTUALITET, 14 August 2026, 20:55

Vrasja e Kozeta Hysenit/ Pas 27 vitesh rihapet dosja e vajzës së ish-prokurorit, 28 persona do të merren sërish në pyetje

Prokuroria e Tiranës ka rihapur sërish çështjen e vrasjes së Kozeta Hysenit, një krim makabër që ndodhi në Qytetin Studenti më 19 shkurt 1999. Vajza e prokurorit nga Vlora, Luftar Hyseni, u gjet e masakruar me gurë në kokë, ndërsa për më shumë se dy dekada ngjarja ka mbetur e pazbardhur.

Në materialet që disponon Prokuroria, u është kërkuar disa strukturave lokale të Policisë së Shtetit që të marrin në pyetje 28 persona, disa prej të cilëve janë përmendur edhe në fazat e mëparshme të hetimit.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e 18 shkurtit 1999, rreth orës 23:40, një vajzë i tha shoqes së ngushtë të Kozetës, në korridorin e Godinës 25 ku ajo strehohej, se dikush po e kërkonte.

E njoftuar nga shoqja e dhomës 418, Kozeta doli në ballkon, por nuk pa askënd.

Ajo zbriti nga godina dhe nuk u kthye më.

Në orët e para të mëngjesit të ditës pasardhëse, Kozeta u gjet e masakruar me gurë në kokë, pranë kinoklubit të Qytetit Studenti.

Ngjarja tronditi opinionin publik dhe familjen e saj. Ish-prokurori Shkëlqim Hajdari ka treguar për momentet e rënda që përjetoi familja Hyseni pas krimit.

Të dyshuarit që u hetuan

I pari që u shoqërua për ngjarjen ishte Agim Karafili, me të cilin thuhej se 20-vjeçarja kishte pasur lidhje. Karafili njihej si person me precedentë penalë. Ai deklaroi se në momentet kur ndodhi krimi ndodhej në banesën e tij. Alibinë e konfirmuan bashkëshortja dhe prindërit e tij dhe ndaj tij nuk u ngrit akuzë.

Agim Karafili nuk jeton më. Ai u ekzekutua vite më vonë.

Në atë kohë, i dyshuar ishte edhe një person i identifikuar me emrin Dritan. Ai shoqërohej me një punonjës policie të quajtur Gëzim Gelaj. Sipas materialeve të dosjes, në një rast Dritani kishte dhunuar Kozetën dhe kishte tentuar ta përdhunonte.

Në një relacion të prillit 2005, pjesë e dosjes hetimore, vihet në dukje se veprimet për identifikimin e këtij personi nuk u çuan më tej. Edhe sot, identiteti i Dritanit mbetet i paqartë.

Policia shoqëroi gjithashtu Indrit Dulen, një personazh të njohur të botës së krimit nga Durrësi, i cili në dosjen hetimore përshkruhet si person me rrezikshmëri të lartë.

Dule ndodhej në Qytetin Studenti atë mbrëmje së bashku me dy miqtë e tij, Dashamir K. dhe Arjan Matohiti. Ky i fundit u ekzekutua vite më vonë për rrethana që mbeten të panjohura.

Sipas dosjes, ata i kishin shprehur dëshirën shoqes së ngushtë të Kozetës që ajo dhe shoqet e dhomës të dilnin së bashku, por vajzat kishin refuzuar.

Dule deklaroi se në momentet e ngjarjes ndodhej në banesën e të fejuarës. Kjo alibi nuk u vërtetua asnjëherë, pasi e fejuara e tij nuk u mor në pyetje.

Po sipas dosjes hetimore, Dule dhe miqtë e tij kanë dhënë të dhëna kontradiktore për lëvizjet e tyre në orët para dhe pas krimit. Megjithatë, edhe ballafaqimi mes tyre nuk u krye nga grupi hetimor.

Dëshmitarja që u largua nga Shqipëria

Në dosje përmendet edhe Mirela K., studentja që kishte njoftuar se dikush po kërkonte Kozetën.

Vetëm 12 ditë pas ngjarjes, Mirela u largua nga Shqipëria, edhe pse ishte ende studente. Për shumë vite ajo nuk u kthye në vend.

Sipas të dhënave të mëvonshme, Mirela është rikthyer në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Ajo është marrë në pyetje për ngjarjen dhe ka deklaruar se kishte dëgjuar që dikush po kërkonte Kozetën, por nuk e kishte parë personin.

Prokuroria rikthen në fokus 28 persona

Në listën e re të Prokurorisë përfshihen dy oficerë që hetuan ngjarjen në atë kohë, familjarë të Agim Karafilit, si dhe Dritan Gjika.

Në listë është parashikuar edhe rimarrja në pyetje e Indrit Dules dhe të afërmve të tij. Sipas hetimeve të asaj kohe, Dule kishte dëshmuar se natën e ngjarjes ndodhej për vizitë te e fejuara.

Mes personave që do të ripyeten janë edhe tre shoqet e dhomës së Kozetës. Sipas kërkesës së Prokurorisë, dëshmitë do t’u merren sërish Mirela Metajt, Valbona Kasajt dhe Kozeta Bushit.

Nga vrasja e Kozeta Hysenit, vajza e prokurorit të Vlorës, askush nuk ka dalë para gjykatës për t’u akuzuar.

Dosja e Kozeta Hysenit ka kaluar një odise disa-vjeçare mes Policisë dhe Prokurorisë, por edhe pas gjithë këtyre viteve, ngjarja mbetet e pazbardhur.

Nuk dihet nëse vrasja ka pasur lidhje me detyrën e babait të viktimës si prokuror. Megjithatë, një prej elementeve që bie në sy në materialet hetimore është fakti se disa prej personave të dyshuar në atë kohë ishin individë me precedentë të theksuar penalë.