AKTUALITET, 14 August 2026, 22:51

‘Territorialja’/ Banorët e Divjakës për të 15-ën mbrëmje në protestë, kundërshtojnë bashkimin me Lushnjën: Reforma, për qëllime politike!

Protesta e banorëve të Bashkisë Divjakë kundër shkrirjes së saj në kuadër të Reformës Territoriale shënoi këtë të premte ditën e 15-të.

Në protestën e mbrëmjes, kryefjala e banorëve ishte mungesa e këshilltarëve bashkiakë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak, e zhvilluar më herët gjatë së premtes.

Protestuesit kritikuan mungesën e tyre, duke theksuar se këshilltarët janë zgjedhur me votën e qytetarëve dhe, sipas tyre, duhet të jenë të pranishëm për të mbrojtur interesat e banorëve dhe për të kundërshtuar Reformën Territoriale.

“Është vënë re një mungesë e këshilltarëve. Ata duhet të ishin të gjithë aty, se ka qenë mbledhje e jashtëzakonshme. Nuk e di, si duket te bashkia jonë ka rënë tip Covidi që lë jashtë disa persona. Duhet të ishin të gjithë aty të kundërshtonin Reformën Territoriale”, u shpreh një qytetar.

Banorët kanë ironizuar gjithashtu propagandën e mazhorancës për arritjet e qeverisë, duke pretenduar se, në të kundërt, qytetarët po përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike dhe varfëri në rritje.

Protesta e 15-të u mbyll me marshimin e qytetarëve në rrugët e Divjakës, ku u dëgjuan thirrjet “Divjaka Bashki!”.

Protestuesit deklaruan se do të vijojnë qëndresën edhe në ditët në vijim, ndërsa bënë thirrje për një pjesëmarrje edhe më të madhe në protestën e radhës.