TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se gjatë orëve të fundit, në territorin e vendit janë në ndjekje 13 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive, 2 janë nën kontroll dhe 1 është shuar plotësisht.
Në Lurë të Dibrës, ku paraqitet një nga situatat më të rëndësishme, vijon operacioni me 200 forca bashkiake, 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 efektivë të Policisë së Shtetit, 18 vullnetarë, 2 automjete zjarrfikëse dhe 2 avionë Air Tractor.
Ndërhyrja ka mundësuar vënien nën kontroll të zjarrit në segmentin pranë banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Aktive mbetet edhe vatra në Qafë Helmes, Bulqizë-Selishtë, ku forcat operacionale kanë arritur të vendosin nën kontroll një pjesë të saj.
Në Tiranë vijon puna në Malin e Dajtit, ku janë angazhuar 9 forca të ADZM-së dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura. Ndërkohë, në Priskë dhe Farkë operojnë 30 forca të MZSH-së me 6 mjete. Situata në aksin Priskë-Farkë paraqitet nën kontroll dhe pa rrezik për zonat e banuara.
Në Krujë, ndërhyrjet nga toka dhe ajri kanë dhënë rezultat në vatrat e Abazes dhe Zidollit. Gjatë ditës është përdorur mbështetja ajrore e Forcave të Armatosura, ndërsa në Zidoll, pas ndërhyrjes së helikopterit, situata është normalizuar dhe po punohet për izolimin dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
Në Gjirokastër, Lezhë, Elbasan dhe Shkodër vijon puna dhe monitorimi i vatrave të mbetura.
Në Përmet dhe Qukës, reshjet e shiut po favorizojnë normalizimin e situatës, ndërsa vatra në Paulesh të Peqinit është shuar plotësisht.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në të gjitha zonat e raportuara nuk evidentohen rreziqe për zonat e banuara.