TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Reshjet e dendura të shiut dhe stuhia që përfshiu këtë të premte zonën e Palasës lanë të bllokuara në det tre vajza, të cilat po lundronin me kanoe.
Për shkak të motit të keq dhe dallgëve të forta, vajzat nuk arritën të ktheheshin në breg, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e Policisë Kufitare.
Forcat kufitare u nisën me skaf drejt zonës ku ndodheshin vajzat dhe arritën t’i nxirrnin në breg në gjendje të sigurt.
Pamjet e operacionit tregojnë shiun e rrëmbyeshëm dhe skafin e Policisë Kufitare, i cili tërheq kanoen me tre vajzat, duke i shpëtuar nga deti i trazuar.
Njoftimi i Policisë
"Gjatë patrullimit në sektorin e Palasës, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare konstatuan 3 shtetase që kishin dalë në det me kanoe dhe, për shkak të përkeqësimit të motit dhe kushteve të vështira në det, rrezikonin të mbyteshin.
Shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë, duke u shkuar në ndihmë dhe duke bërë të mundur nxjerrjen e tyre në breg, pa rrezik për jetën.
Të tre shtetaset ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe falënderuan punonjësit e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare për ndërhyrjen në kohë dhe ndihmën e dhënë.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare apelojnë për të gjithë pushuesit dhe përdoruesit e mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes të shtuar, të marrin në konsideratë kushtet atmosferike dhe detare dhe të shmangin daljen në det kur ato paraqesin rrezik për sigurinë e tyre"