AKTUALITET, 22 August 2026, 11:03

Me precedent për zjarrvënie/ 62-vjeçari kapet sërish duke ndezur zjarr në Mirditë, arrestohet nga policia (Video)

Një 62-vjeçar është arrestuar në Mirditë pasi u kap në flagrancë duke ndezur një vatër zjarri.

62-vjeçari i identifikuar si Anton Deda, dyshohet se gjatë ditëve të fundit ka qenë i përfshirë edhe në ndezjen e disa vatrave të tjera.

Policia e identifikoi pas një operacioni të posaçëm, ndërsa ndaj tij rëndojnë akuzat për shkatërrim të pronës dhe të pyjeve me zjarr.

I arrestuari rezulton me precedent të mëparshëm për zjarrvënie të qëllimshme.

Postimi i plotë:

Mirditë/ Kapet në flagrancë duke ndezur zjarr, vihet në pranga 62-vjeçari me precedent të mëparshëm për zjarrvënie të qëllimshme

Gjatë ditëve të fundit, ky shtetas kishte ndezur edhe 5 vatra të tjera zjarri.

62-vjeçari u kap në kuadër të operacionit policor të koduar “Piromani 2”, pas një pune gjurmuese 48-orëshe, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe ndjekjes në terren me pajisje dron, pasi dyshohej se merrej me zjarrvënie të qëllimshme.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë finalizuan me sukses fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Piromani”, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. D., 62 vjeç, banues në fshatin Rraja e Valës, Njësia Administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë.

Arrestimi i tij u krye për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

Në momentin e kapjes, 62-vjeçari sapo kishte ndezur një vatër zjarri në fshatin Rraja e Valës. Nga veprimet hetimore dhe ndjekja në terren është dokumentuar se, gjatë ditëve të mëparshme, ky shtetas kishte ndezur edhe 5 vatra të tjera zjarri.

Si pasojë e zjarreve, është përfshirë nga flakët një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh, ndërsa vijon puna në terren për shuarjen e plotë të zjarrit dhe vënien nën kontroll të tij.

Shërbimet zjarrfikëse, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit.

Nga verifikimet e kryera rezulton se shtetasi A. D. ka precedent të mëparshëm për zjarrvënie të qëllimshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të aktivitetit të këtij shtetasi dhe verifikimin e përfshirjes së tij edhe në zjarrvënie të tjera të ndodhura më herët në territorin e Bashkisë Mirditë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.