AKTUALITET, 7 November 2026, 14:37

Marjana Koçeku për mediat polake: Korrupsioni në Shqipëri është më i thellë nga sa duket

Marjana Koçeku për mediat polake: Korrupsioni në Shqipëri

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka folur për krizën e përfaqësimit politik në Shqipëri, pengesat që sistemi zgjedhor u krijon lëvizjeve të reja dhe kandidatëve të pavarur, si dhe protestat e të rinjve kundër qeverisjes.

Në një intervistë për televizionin polak TVP World, në emisionin “World Talks”, Koçeku theksoi se korrupsioni në Shqipëri është shumë më i thellë nga sa shfaqet në pamje të parë. Ajo e cilësoi atë si rrënjën e mosfunksionimit të institucioneve, ligjeve klienteliste dhe përqendrimit të pushtetit në pak duar.

Sipas deputetes, reforma e Kodit Zgjedhor është një prej hapave themelorë për ndryshimin e sistemit, pasi cilësia e përfaqësimit në Kuvend përcakton edhe cilësinë e ligjeve, ndryshimeve kushtetuese dhe drejtimit të institucioneve kryesore të vendit.

Koçeku foli gjithashtu për vendimin e saj për t’u larguar nga mazhoranca qeverisëse dhe për të vijuar mandatin si deputete e pavarur, duke e lidhur këtë zgjedhje me përgjegjësinë për të përfaqësuar qytetarët dhe jo interesat e pushtetit.

Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe protestave studentore dhe qytetare, kërkesave të të rinjve për demokraci, dinjitet dhe llogaridhënie, si dhe nevojës që pakënaqësia shoqërore të gjejë përfaqësim real politik dhe institucional.

Në përfundim, mesazhi i Koçekut ishte se ndryshimi demokratik në Shqipëri kërkon jo vetëm ndryshimin e qeverisë, por edhe reformimin e mënyrës se si prodhohet dhe ushtrohet pushteti.