AKTUALITET, 19 August 2026, 21:01

Dhunuan shefin e Krimeve në Sarandë, gjykata lë në burg 6 rojet e “Orange”, dy policë pezullohen nga detyra

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për gjashtë rojet e klubit të natës “Orange”, të arrestuar pasi dyshohet se dhunuan shefin e Krimeve të Komisariatit të Sarandës, Mateo Bakalli.

Në pranga u vunë Marjo Katiraj, 35 vjeç; Elgent Ndoj, 38 vjeç; Faik Hoxha, 35 vjeç; Indrit Cullhaj, 34 vjeç; Ardit Kasemi, 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr; dhe Besnik Sullollari, 29 vjeç. Ndërkohë, në kërkim është shpallur 28-vjeçari Pjetër Doçi.

Ngjarja u shënua rreth orës 03:20 të 16 gushtit, në ambientet e jashtme të lokalit. Sipas Policisë, rojet e sigurisë po konfliktoheshin fizikisht me disa persona të tjerë. Shefi i Krimeve ka qenë duke kaluar me automjet në atë zonë, kur ka vënë re personat duke u konfliktuar.

Ai ka ndërhyrë për të ndaluar konfliktin, duke u identifikuar si punonjës policie, por rojet e sigurisë kanë nisur ta godasin me grushte. Efektivi ka reaguar në vetëmbrojtje dhe ka arritur të kontaktojë me shërbimet e Policisë për të kërkuar ndihmë.

Në vendngjarje kanë shkuar forcat “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, të cilat ndërhynë për të ndalur përplasjen dhe shoqëruan personat e përfshirë. Policia lokalizoi edhe pjesën tjetër të rojeve në një banesë në fshatin Gjashtë.

Në lidhje me ngjarjen, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, pezulloi nga detyra dy punonjës policie: Inspektor Armando Shehi, efektiv i Repartit “RESI”, dhe nënkomisar Andon Binaku, efektiv i RENEA-s.

Sipas Policisë, këta dy persona, të dypunësuar pa leje në lokal, nuk kanë njoftuar për konfliktin që po ndodhte. Pavarësisht se ishin jashtë detyre, ata duhet të ndërhynin për parandalimin e përshkallëzimit të situatës.