AKTUALITET, 21 July 2026, 16:05

Shqiptarët nuk i “ndahen” kafesë dhe cigares/ Rriten zhdoganimet, bie nafta dhe birra

Kafja dhe cigarja janë kthyer në mënyrë jetese për qytetarët, lidhur kjo edhe me sezonin veror dhe frekuentimin e shtuar të strukturave të shërbimeve. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, për gjysmën e parë të vitit tregojnë se sa i takon mallrave kryesore të akcizës importi i kafes dhe cigares, rezulton në rritje, ndërsa ndryshe ka ndodhur me karburantet dhe birrën.

Konkretisht përgjatë periudhës janar-qershor 2026 janë importuar 5,392 ton, me rritje prej 632 ton në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë si dhe sasia më e lartë në 5 vite.  Po ashtu, vetëm në muajin Qershor janë zhdoganuar 1,520 ton kafe, thuajse dyfishi i sasisë krahasuar me Qershor 2025. Në të njëjtën linjë ka ecur dhe importi i cigares, ku në 6 muaj janë zhdoganuar 1689 ton, më rritje prej 180 ton në raport me 6-mujoriun 2025, si dhe shifra me lartë ndër vite.  Vetëm në Qershor janë zhdoganuar 356 ton cigare.

Sa i takon importit të karburanteve, zhdoganimet në gjysmën e parë të vitit regjistrohen në afro 332 mijë ton, në rënie me rreth 13 mijë ton në raport me janar-qershor 2025. Kjo për shkak të rritjes së ndjeshme  të çmimit të naftës në muajt e parë të vitit si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme. Megjithatë, stabilizimi i çmimeve në treg po sjell dhe përmirësim të konsumit, pasi në muajin Qershor janë zhdoganuar afro 69 mijë ton karburante, duke shënuar rritje prej 3 mijë ton krahasuar me Qershor 2025.

Ndërsa importi i birrës  në 6 mujorin e parë 2026 regjistrohet në 25 mijë ton,  duke pësuar rënie me 765 ton në raport me një vit më parë.  Ndërsa në Qershor janë zhdoganuar 7,498 ton, me një rritje të lehtë  në raport me Qershor 2025. Të ardhurat nga akciza, për periudhën Janar-Qershor 2026, janë realizuar në shumën 33.6 miliardë lekë, 1.5 miliardë lekë ose 4.6% më shumë se gjashtëmujori i vitit 2025, si dhe realizim në shumën 492 milionë lekë ose 98.6% të planit për gjashtëmujorin 2026.