AKTUALITET, 30 Maj 2023, 16:04

"U prish gjithçka, shteti të na ndihmojë", reshjet e shiut dhe breshrit shkaktojnë dëme në Kuçovë, përmbyten 15 shtëpi, shkatërrohen dhjetëra ha të mbjella

"U prish gjithçka, shteti të na ndihmojë", reshjet e

Moti për këtë muaj maj ka qenë me plot surpriza. Për rreth dy orë qyteti i Kuçovës u pushtua mbrëmjen e djeshme nga reshjet e shiut dhe të breshrit.

Reshjet e dendura dhe të pandërprera të shiut, të shoqëruara me intensitet të lartë më pas me breshër, kanë shkaktuar përmbytje në disa banesa në lagjen ‘1 maji’ në këtë qytet. Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në tokat bujqësore dhe në pemëtari në fshatrat: Perondi, Magjatë e Gorraj, por edhe në shumë zona të tjera.

Në lagjen “1 Maji” rreth 15 banesa u pushtuan nga shiu dhe breshëri, që iu hyri në shtëpi duke iu shkatërruar gjithçka. Banorët shprehen se uji që u vërshoi në shtëpi ka prishur gjithçka, që nga orenditë e deri tek elektro-shtëpiaket. Sipas banorëve, shkak për këto përmbytje nuk është natyra por bllokimi i koletorëve, që-sipas banorëve-nuk janë pastruar për vite të tërë. Ata i bëjnë apel shtetit për vlerësimin e dëmeve dhe ndihmë financiare.