AKTUALITET, 22 Janar 2023, 13:36

Të dënuar për vrasje, ekstradohen nga Greqia dhe Belgjika dy shqiptarët

Të dënuar për vrasje, ekstradohen nga Greqia dhe Belgjika dy
Mariglen Përgjini

Mariglen Përgjini dhe Eraldo Memaj, në kërkim për vrasje, janë ekstraduar sot nga Greqia dhe Belgjika.

Nga Belgjika u ekstradua Përgjini, i cili rezulton i dënuar me 18 vite burg për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit luftarak”, kryer më shumë se një herë.

Po ashtu është ekstraduar nga Athina, Eraldo Memaj, banues në Pukë.

Njoftimi i policisë:

Vijon bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.

Falë shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve, janë kapur në Bruksel dhe në Greqi, si dhe janë ekstraduar drejt Shqipërisë, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar. -Specialistët e Interpol Tiranës ekstraduan nga Brukseli, drejt Shqipërisë, shtetasin Mariglen Përgjini.

Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar këtë shtetas, me 18 vjet burgim për veprat penale “Vrasja me dashje" dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit luftarak”, kryer më shumë se një herë.

Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat e ka dënuar shtetasin Mariglen Përgjini me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dënim i cili është konvertuar më pas në shërbim prove. -Gjithashtu po si rezultat i shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, u bë kapja dhe ekstradimi nga Greqia drejt Shqipërisë, i shtetasit të kërkuar Eraldo Memaj, banues në Pukë.

Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar këtë shtetas me 11 vjet burgim, për veprat penale "Vrasja me dashje", mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit luftarak”.

Ky shtetas në vitin 2013, në Pukë, për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin P. V. Interpol Tirana vijon shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin me homologët, me qëllim kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Çfarë ka bërë Përgjini?

Mariglen Përgjini, u shpall fajtor për vrasjen e ndodhur në janar të 2016 në një lokal tallavaje në Lezhë.

Mbrëmjen e janarit, rreth orës 23:30, kur në lokal ka mbaruar muzika dhe njerëzit e tjerë ishin larguar, në lokal mbetën vetëm Anton Toli, Ëngjëll Nika, Arben Bushi, Drimona Vukaj, Stela Gjoka, Mariglen Përgjini. Ndërsa në një tavolinë tjetër ishin ulur, Maltin Shtjefni dhe personat e tjerë në një tavolinë tjetër kanë qëndruar.  

Anton Toli, ka ftuar Shtjefnin që të bashkohej me tavolinën e tyre dhe pikërisht në atë moment Mariglen Përgjini ka nxjerrë dhe ka mbajtur në dorë një armë zjarri pistoletë, duke e lënë mbi tavolinë. Më pas, ka vendosur për një këngë të kërkuar nga viktima që ta qëllojë duke e lënë të vdekur në vend.

Por këtë krim Përgjini nuk e ka pranuar duke pretenduar se vrasjen e Shtjefnit e ka kryer Ëngjëll Nika, i cili sipas Përgjinit ka pasur një armë zjari pistoletë me vete. Megjithatë si Ëngjëll Nika, ashtu dhe të gjithë dëshmitarët e tjerë që ishin prezent në tavolinë deklarojnë se vrasjen e ka bërë vetëm Mariglen Përgjini, i cili u vërtetua fajtor nga hetimet e kryera nga ekspertët.