TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në Shqipëri është rritur numri i sipërfaqes së tokës të përmbytur si pasojë e reshjeve të shiut dhe motit të keq. Rreth 1.750 hektarë tokë janë në ujë, nga të cilat 1.220 hektarë në qarkun e Shkodrës, ndërsa pjesa tjetër në qarkun e Lezhës.
Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile bëri të ditur se si pasojë e prurjeve të shumta, vazhdon shkarkimi i kontrolluar në kaskadën e Drinit me 300 metër kub për sekondë. Sipas autoriteteve, lumenjtë janë nën nivelin kritik dhe nuk përbëjnë rrezik për përmbytje në zona të tjera.
Në veri të Shqipërisë, reshjet e borës kanë shkaktuar disa probleme. Rruga Bogë-Theth është e bllokuar si pasojë e orteqeve dhe ndërhyrja është e pamundur. Ndërsa Rruga e Arbrit – e cila lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut – që u bllokua ditën e djeshme për shkak të borës, sot është e kalueshme.
Emergjencat Civile njoftuan se të shtunën, më 21 janar, u bllokuan në malin e Tomorrit (në qarkun e Beratit) pesë makina me turistë vendas, ndaj ky institucion bëri apel që të shmangen destinacionet ku ka prezencë bore dhe akulli në rrugë.
Reshjet kanë dëmtuar katër ura në qarqet Shkodër dhe Lezhë. Sipas të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë pritet që sot dhe nesër të ketë reshje shiu, çka mund të përkeqësojë situatën. Përveç Shqipërisë, dëme nga vërshimet janë shkaktuar edhe në disa komuna të Kosovës.