AKTUALITET, 6 Korrik 2023, 15:03

“Kostoja që pretendon qeveria për studentët e mjekësisë, abuzive”, PD e Berishës: Keqardhje për strukjen e Universitetit që s’shprehet në mbrojtje të tyre

“Kostoja që pretendon qeveria për studentët e

Drejtuesja e Departamentit të Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit të PD së grupimit të Sali Berishës, Lili Sula ka dalë në krah të protestës së studentëve të mjekësisë.

Në një deklaratë për mediat, ajo u shpreh se kostoja që pretendon qeveria për studentët e mjekësisë është jologjike dhe abuzive, sepse nuk mbështetet në fakte.


Sipas saj, një student i Mjekësisë nuk i kushton shtetit mbi 5000 euro në vit, sepse buxheti që jep Qeveria për një student nuk është më shumë se 1000 euro në vit.

“Partia Demokratike e mbështet me bindje dhe forcë grevën e studentëve të Universitetit të Mjekësisë. Pa qëllimin e përfitimit politik, ne besojmë te fitorja e studentëve dhe kauzës së tyre, sepse ajo është e drejtë. Kostoja që pretendon qeveria për studentët e mjekësisë është jologjike dhe abuzive, sepse nuk mbështetet në fakte. Një student i Mjekësisë nuk i kushton shtetit mbi 5000 euro në vit, sepse buxheti që jep Qeveria për një student nuk është më shumë se 1000 euro në vit. Në këtë buxhet janë përfshirë pagat, shpenzime të tjera dhe investime.
Le të nxjerrin sa është buxheti vjetor për një student që merr Universiteti i Mjekësisë. Të bëjnë publike në detaje të gjithë zërat e kostos së 1 studenti në Mjekësi”, tha Sula.

Ajo shtoi më tej se nëse te tarifat për student fusin shpenzimet e luksit për propagandë qeveritare dhe tenderat abuzivë, ky nuk është problem i studentëve dhe nuk e zgjidhin ata.

“Nëse një student i universiteteve publike duhet të paguajë 5 mijë euro në vit, sa paguajnë ata të universiteteve private? Kjo kundërvënie e shpjegon abuzimin e pretendimit qeveritar. Por nuk është vetëm në fushën e shpenzimeve dhe pretendimeve arroganca e qeverisë Rama.
Ndër të tjera:
Shkelet e drejtat e lëvizjes se lirë të individit dhe e ushtrimit të profesionit, që janë të garantuara në Kushtetutë.
VKM nuk është konsultuar me faktorë të interesit – aq me pak me studente të Mjekësisë që janë drejtpërdrejt të goditur nga ky vendim
Ministria e arsimit Kushi flet për mundësi që do t`u ofrohet studentëve ndërkohë që VKM i kushtëzon studentët të nënshkruajnë kontrata punësimi, 5 vjeçare për ata që fillojnë studimet në vitin e parë këtë vit akademik; 3 vjeçare për ata në vit 2,3,4 dhe kontrata punësimi 2 vjeçare për studentët në vit të 5 e të 6 të vitit akademik 2023-2024”, tha ajo.

Sipas Sulës, ndryshimi i kritereve të studimeve të larta gjate kryerjes së tyre, shkel hapur të drejtat e studentëve dhe bie në kundërshtim të plotë me ligjin për mbrojtjen nga diskriminimi.

“Si mund të ndryshojnë rregullat e ndjekjes së universitetit në ndërkohë që një pjesë jo e vogël e studentëve punojnë ose kanë nënshkruar kontrata pune në dobi të interesave të tyre profesionale e ekonomikë? Pas viteve të studimeve të larta studenti kështu nuk do të ketë mundësi të ndjekë specializimin- pasi do të jetë i zhvendosur me urdhër qeveritar në rrethe të largëta. Ajo që Partia Demokratike vëren me keqardhje është se për emigrimin, shpopullimin dhe dështimin e sistemit arsimor nuk merren masa të studiuara dhe të konsultuara, por ka përpjekje të rrejshme dhe abuzive që të flitet për kinse punësimin apo programe sociale për mjekët.
Gjithashtu, ligje kaq të rëndësishme – si dhe herë të tjera – qeveria i kryen shumë me të shpejtë në ditë të nxehta vere për të shuar zërat dhe kundërshtitë. Shprehim keqardhje për strukjen e Universitetit të Mjekësisë, që nuk shprehet në mbrojtje të studentëve të vet”, deklaroi Sula.