AKTUALITET, 2 Qershor 2023, 14:19

Dyshohet se po transportonin 10 emigrantë të paligjshëm drejt kufirit me Greqinë, arrestohen dy të rinj

Dyshohet se po transportonin 10 emigrantë të paligjshëm drejt

Dy të rinj janë arrestuar në Korçë, pasi dyshohet se po transportonin 10 emigrantë të paligjshëm drejt kufirit me Greqinë kundrejt pagesës.

Mësohet se shtetasit me iniciale T. M., 34 vjeç dhe A. P., 33 vjeç dyshohet se u merrnin kundrejt transportit të paligjshëm 300 deri në 1000 euro/ personi.

Sakaq policia i ka sekuestruar automjetin, dy celularë dhe një shumë monetare.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 13”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesave të konsiderueshme, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Transportonin me furgon, 10 emigrantë nga vendet e treta, kundrejt pagesave 300-1000 euro/person, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen furgoni me të cilin po transportoheshin emigrantët, dy celularë dhe një vlerë monetare. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për një tjetër rast të transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Midnight 13”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-T. M., 34 vjeç dhe A. P., 33 vjeç, të dy banues në Durrës.

Dy shtetasit e mësipërm u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në unazën e qytetit të Korçës, pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Ersekës”, teksa po transportonin me një automjet (furgon), me drejtues shtetasin T. M. dhe pasagjer shtetasin A. P., kundrejt pagesave 300-1000 euro/person, 10 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin ilegal të kufirit, me destinacion final shtetet e BE-së.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan furgoni, dy celularë dhe një vlerë monetare. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.