AKTUALITET, 2 Qershor 2023, 13:08

Apartamente, ndërtesë 4-katëshe, makinë luksoze, GJKKO konfiskon pronat e Raul Zenunajt! Ja lista e pasurive që i kalon shtetit

Apartamente, ndërtesë 4-katëshe, makinë luksoze, GJKKO

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, GJKKO ka vendosur sot të konfiskoje dhe të kalojë në pronësi të shtetit, pronat e Raul Zenunajt dhe personave të lidhur më të.

Raul Zenunaj është dënuar në Itali për trafik droge, ndërkohë që Prokuroria e Vlorës ka vendosur në sekuestro pronat e tij që nga viti 2021.

Sipas njoftimit, GJKKO ka vendosur t’i konfiskojë 9 prona në emër të Raul Zenunajt, të cilat janë kryesisht, një ndërtesë 4-katëshe, apartamente, tokë arë, makinë BMW etj.

“Më datë 01.06.2023 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë përfundoi gjykimi në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për konfiskimin e pasurive të subjektit të Aktit Normativ nr. 1 datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit të sigurisë publike”, të ndryshuar, në lidhje me subjektin Raul Zenunaj dhe personave të lidhur me të.

Sipas konkluzioneve të dhëna nga Prokurori i Posaçëm në seancat e mëparshme gjyqësore, me vendimin e datës 01.06.2023 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur midis të tjerash konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive mbi të cilat ishte vendosur sekuestro me vendimin nr.49 datë 05.01.2021 të Gjykatë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë:

1) Pasurisë së llojit “Njësi” me sipërfaqe totale 70 m², Bashkia Vlorë, e blerë nga subjekti në vitin 2012 në vlerën 6.944.000 lekë;

2) Pasurisë së llojit “Njësi” me sipërfaqe totale 50 m², Bashkia Vlorë, e blerë nga subjekti në vitin 2012 në vlerën 4.960.000 lekë;

3) Pasurisë së luajtshme automjet i markës BMË tip GM730D, në pronësi të subjektit Raul Zenunaj, e blerë nga subjekti në vitin 2014;

4) Pasurisë së llojit “Arë”, me sipërfaqe 5000 m², aktualisht në pronësi të shtetases E.S.

5) Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe 159 m², Bashkia Vlorë, në pronësi të shtetasit V.Z, e blerë në vitin 2010 në vlerën 8.107.092 lekë.

6) Pasurisë së llojit “Truall”, me sipërfaqe 105 m², Bashkia Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M, e blerë në vitin 2013 në vlerën 1.100.000 lekë.

7) Pasurisë së llojit “Apartament”, me sipërfaqe 171 m², Bashkia Vlorë, në bashkëpronësi, të shtetasve V.Z dhe A.M, e blerë në vitin 2013 në vlerën 10.500.000 lekë.

8) Pasurisë së paluajtshme “Shtesë 4-katëshe”, me sipërfaqe totale të 4 kateve 640 m², në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M, Bashkia Vlorë. Nga ekspertimi i kryer në gjykim rezulton se vlera e investimit për pasurinë “shtesë 4-katëshe” është 20.216.320 lekë”, thuhet në njoftimin zyrtarë të GJKKO.

9) Pasurisë së llojit “Bodrum”, me sipërfaqe 181 m², Lagja “Kushtrimi”, Bashkia Vlorë, në bashkëpronësi të shtetasve V.Z dhe A.M, e blerë në vitin 2013 në vlerën 7.700.000 lekë.