AKTUALITET, 2 Qershor 2023, 12:24

Nga Kuvendi në burg, beteja e Saimir Tahirit me drejtësinë dhe përgjimet që e fundosën

Nga Kuvendi në burg, beteja e Saimir Tahirit me drejtësinë dhe
Saimir Tahiri


Një vit e katër muaj burg bëri ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i dënuar me 3.4 vite burg për shpërdorim detyre nga Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më 4 shkurt të 2022. Vendimi për lirimin e tij është marrë nga Gjykata e Elbasanit e cila ka vendosur që Tahiri ta shlyejë pjesën e mbetur të dënimit në shtëpi.

Betejën me drejtësinë Tahiri e nisi që në vitin 2017, në kulmin e karrierës së tij kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm, më jetëgjati në atë dikaster.

Në vitin 2017 Tahiri u rizgjodh deputet, por u detyrua të largohej me dorëheqje nga parlamenti në maj 2018, për t’u përballur “si qytetar i thjeshtë” me akuzat e Prokurorisë për implikim të tij në trafikun e drogës së kryer nga grupi i Habilajve. Në maj të vitit 2018, Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit. Menjëherë më pas prokuroria kërkoi sërish arrestimin e tij.

Ai u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.  Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim. Tahiri kaloi një periudhë të shkurtër në arrest shtëpie, derisa më pas Gjykata e Apelit lejoi hetimin e tij në gjendje të lirë, hetim i cili u mbyll në vitin 2019.

Në shtator 2019, Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi akuzën e prokurorisë për përfshirjen e Tahirit në trafik droge, por e dënoi atë me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Tahiri e apeloi vendimin në Gjykatën e Apelit, e cila vendosi rikthimin e çështjes për rigjykim sërish në shkallë të parë për rishqyrtim. Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda dënoi me 5 vite burg ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, dënim i cili i konvertua në 3 vite shërbim prove.

Gjithashtu për 5 vite nuk do të ushtronte asnjë funksion publik . Kjo u cilësua si një fitore për Tahirin pasi ranë te gjitha akuzat për “trafik droge” dhe “bashkepunim ne grup te strukturuar kriminal”, por vetë Tahiri kur doli nga gjykata edhe pse u duk i çliruar, e cilësoi verdiktin e gjykatës qesharak duke mos e kursyer edhe ironinë teksa përsëriti pafajësinë e tij.

Më pas ish ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e cila ka pranuar për ta gjykuar. Dosja u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

31 janar 2021– SPAK kërkoi fiks të njëjtin dënim me nga 12 vite burg për Tahirin dhe Jaeld Çelën ndërkohë që ashtu si edhe disa vite më parë 2 vite më parë, ish-ministri u mbrojt duke radhitur në një tabelë faktet e tij.

4 shkurt 2022- Saimir Tahiri përfundoi në burg. Ish-ministri i Brendshëm shkoi në sallën e gjyqit të Apelit të GJKKO në këmbë si në seancat e 5 viteve betejë me drejtësinë por këtë herë nuk u kthye me makinën e tij në shtëpi por me pranga në duar përfundoi në burg. Gjykata e dënoi Tahirin me 5 vite burg për këtë akuzë të re që në gjuhën juridike quhet, kualifikim i veprës penale: Shpërdorim të detyrës. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3.4 vite burgim.  Apeli e akuzoi atë vetëm për shpërdorim detyre, duke qenë se sipas gjykatës, për shkak të lidhjeve të tij me vëllezërit Habilaj, të akuzuar për trafik të sasirave të mëdha të marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë, ka favorizuar aktivitetin e tyre kriminal.

Akuzat e Gjykatës në 2022

Në ngarkim të Saimir Tahirit rezulton lidhje e qëndrueshme në kohë dhe e dokumentuar me prova me të pandehurin Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj.
Lidhje të tilla të pashpjegueshme me ministrin e Brendshëm që janë të njohura në komunitetin e funksionarëve vendor dhe qendror kanë krijuar premisë më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e punonjësve të policisë dhe të shtetit me pasojë të drejtpërdrejtë vështirësi dhe pengesa në drejtim të luftimit të veprimtarie kriminale.
Shoqëruar në të njëjtën periudhë edhe me bashkëpunimin në një shkallë të lartë të një numri punonjësish policisë së shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese
Shoqëruar në të njëjtën kohë me vazhdimësinë dhe ushtrimin e suksesshëm të aktivitetit kriminal të trafikut të narkotikëve me Moisi Habilaj e të tjerë në kuadër të një organizmi kriminale me këtë veprimtari.
Gjykata ka konstatuar dhe mban në vëmendje shkallën e lartë të veprimtarisë së aktiviteteve të paligjshme furnizues me lëndë narkotike që në vlerësimin e gjykatës krijon lidhjen e drejtpërdrejtë të mosveprimit në mënyrë të paligjshme të autoritete shtetërore dhe pasojat kriminale të ardhura.
Gjykata ka konkluduar se nuk janë marrë masat e duhura për ti dhënë eficenses të plotë strukturave më të lartë drejtuese të drejtorisë vendore të policisë Vlorë për parandalimin dhe zbulimin e këtyre veprave penale të evidentuara dhe në kundërshtim me ligjin.
Gjykata ka konkluduar se i pandehuri Saimir Tahiri provohet se ka përfituar nga Moisi Habilaj dhe Artan Habilaj për përfitime të padrejta dhe njëkohësisht shpërdorimi i detyrës duke dëmtuar interesat e shtetit
Për rrjedhojë Saimir Tahiri ka konsumuar elementë të veprën penale shpërdorimi i detyrës
Pas këtij vendimi, Tahiri teksa priti në sallën e gjyqit, bëri edhe një postim në Facebook duke e quajtur një padrejtësi. “Më vjen keq që shkoi kështu. Jam moralisht i qetë, nuk kam shkelur kurrë ligjin, kam dashuruar çdo ditë të punës sime, jam i lumtur që kam bërë detyrën siç më mirë munda. Eshtë thjeshtë padrejtësi”, shkroi ai.

Përgjimet e Habilajve dhe përmendja e Tahirit

Përgjimet e bandës së Habilajve të kryera nga autoritetet italiane dhanë grimca nga jeta e trafikantëve, rreziqeve, ulje-ngritjeve të trafikut dhe keqpërdorimet e milionave të fituara brenda natës, si dhe pikëpamjet e tyre mbi politikën shqiptare. Pikërisht këto përgjime nxorrën zbuluar Tahirin.

Dokumenti i policisë italiane e përmend ish-ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri si gjatë përgjimeve, ashtu edhe gjatë komenteve në tre raste. Në njërin rast, (faqja 100), dy të dyshuarit, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj diskutojnë me njëri-tjetrin se çfarë ka më shumë se sa ata Saimir Tahiri. Moisiu beson se Saimiri ka bërë 5 milionë euro brenda një muaji ndërsa Çelaj thotë se këto janë para të parëndësishme për të pasi atij 20 milionë nuk i  mjaftojnë në një fushatë elektorale. Në kohën e zhvillimit të kësaj bisede, 16 dhjetor 2013, Tahiri kishte vetëm tre muaj në postin e Ministrit të Brendshëm, por ai pati qenë deputet që nga viti 2009.

Në rastin tjetër, (f 93) Moisiu thotë se ka blerë dy byzylykë, një për gruan e Saimirit dhe një për nënën. Sabi pyet se sa kanë kushtuar. Moisiu thotë: 2 mijë euro. Në rastin e tretë, (f. 193-194) policia italiane shënon se më 3 mars 2014, Moisi Habilaj dhe Sabaudin Çelaj patën mbërritur në Sicili me makinën A8, nën pronësinë e Saimir Tahirit. Ata u kthyen në Shqipëri më datë 24 mars po me makinën e Tahirit. Në rastin më problematik për Tahirin, ai përmendet si përfitues i mundshëm i një shume parash nga trafiku i drogës.