AKTUALITET, 2 Qershor 2023, 09:46

Arrestimi i efektivit në Shkodër, reagon Ministria e Brendshme: Do të pastrojmë Policinë nga të korruptuarit

Arrestimi i efektivit në Shkodër, reagon Ministria e Brendshme: Do

Ministria e Brendshme ka reaguar pas arrestimit të Shkëlzen Gjonaj, efektivit në Shkodër, i cili u filmua duke vjedhur në një makinë dhe duke dhunuar një person.

Ministria falenderon emisionin 'Fiks Fare' për denoncimin si dhe thekson se do të ndëshkohet çdo punonjës që abuzon me detyrën. 

REAGIMI:

Për rastin e transmetuar mbrëmjen e kaluar në media e për të cilin Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore reaguan menjëherë, Ministria e Brendshme falënderon emisionin “Fiks Fare” për denoncimin e punonjësit të policisë që abuzonte me detyrën.

Ky punonjës është arrestuar nga AMP e do të përballet me drejtësinë për të marrë ndëshkimin sipas ligjit. Ne inkurajojmë investigime të tilla gazetareske, por edhe referimin e qytetarëve për punonjës të Policisë së Shtetit që kryejnë shkelje ligjore apo etike gjatë ushtrimit të detyrës. Vijimësisht jemi të vendosur për të pastruar Policinë e Shtetit nga punonjësit e korruptuar, të cilët kurrsesi s’ka vend në radhët e kësaj trupe.

Vetëm përgjatë vitit 2022 AMP ka referuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre 357 raste nga të cilët 168 me masë shtrënguese. Në 5 muajt e parë të këtij viti janë referuar 119 raste nga të cilët 34 me masë shtënguese. Ky është tregues i vullnetit tonë të plotë për të larguar nga Policia e Shtetit ata që bëjnë pis uniformën e kësaj trupe.

Gjonaj u dneoncua nga 'Fiks Fare' se i kishte vjedhur një shtetasi një shumë parash, teksa e kishte lënë makinën në garazh. Menjëherë nisën hetimet dhe nënkomisari u pezullua. Por më vonë gjatë mbrëmjes, u transmetua një video tjetër, ku ky punonjës policie shfaqej duke dhunuar një qytetar në një lokal të Shkodrës. Kryepolici Rrumbullaku ka firmosur përjashtimin e menjëhershëm nga Policia.