BOTA, 8 August 2026, 22:10

Zelensky ngre alarmin: Koreja e Veriut do të dërgojë 50 mijë trupa në Rusi

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Koreja e Veriut ka marrë një vendim për të vendosur në territorin rus 30 mijë deri në 50 mijë trupa, duke paralajmëruar për forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes Phenianit dhe Moskës.

Në një intervistë për median ukrainase United News, Zelensky tha se Koreja e Veriut po e përdor luftën në Ukrainë për të fituar përvojë në luftën moderne, gjë që sipas tij mund të përbëjë kërcënim edhe për vende të tjera në Azi.

Sipas presidentit ukrainas, trupat koreano-veriore janë përfshirë më herët në luftë në krah të Rusisë, ndërsa tani pritet një zgjerim i mëtejshëm i këtij bashkëpunimi.

Zelensky pretendoi gjithashtu se Ukraina ka gjetur raketa të prodhuara në Korenë e Veriut në territorin ukrainas, duke e cilësuar këtë si një fakt tashmë të dokumentuar.

“Është absolutisht e qartë se Koreja e Veriut do të vazhdojë të ndërtojë përvojën e saj në luftën moderne, të marrë licenca nga Rusia dhe të marrë të gjitha llojet e mjeteve ushtarake prej tyre”, u shpreh ai.

Presidenti ukrainas paralajmëroi se forcimi i lidhjeve ushtarake mes dy vendeve mund të ketë pasoja për sigurinë rajonale, pasi Pheniani do të përfitojë nga përvoja e drejtpërdrejtë në fushën e betejës dhe teknologjia ushtarake ruse.

Në këtë kuadër, Zelensky i bëri thirrje Koresë së Jugut për një bashkëpunim më të ngushtë me Ukrainën, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore.