BOTA, 8 August 2026, 16:58

Hunter Biden rrëfen gjendjen e rënduar të babait: Kanceri është përhapur, po përjeton dhimbje të forta

Në një intervistë të gjatë dhe tepër personale për emisionin “Newsnight” të BBC-së, Hunter Biden ka folur për betejën e tij me varësinë, faljen presidenciale që mori nga babai i tij dhe gjendjen shëndetësore të ish-presidentit amerikan Joe Biden. Pjesën më të ndjeshme të intervistës e përbënë rrëfimi për shëndetin e Joe Biden, i cili u diagnostikua në maj të vitit 2025 me një formë agresive të kancerit të prostatës, që në momentin e diagnostikimit ishte përhapur në kocka.

Sipas Hunter Biden, gjendja e ish-presidentit është përkeqësuar. Ai tha se sëmundja është përhapur edhe më tej, duke i shkaktuar babait të tij dhimbje të forta dhe lodhje të madhe. “Është vërtet e vështirë. Është shumë e trishtueshme ta shohësh”, u shpreh Hunter, duke e përshkruar situatën si jashtëzakonisht të dhimbshme dhe dobësuese. Megjithatë, ai theksoi se Joe Biden vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm në jetën e familjes. “Babai im është ende qendra e familjes sonë. Ai është babai më i mirë, burri më i mirë dhe gjyshi më i mirë”, tha ai. Hunter Biden foli gjithashtu për vendimin e Joe Biden, në dhjetor 2024, për t’i dhënë atij një falje presidenciale të plotë dhe të pakushtëzuar.

 

Falja mbulonte veprat penale federale të kryera nga 1 janari 2014 deri më 1 dhjetor 2024. Hunter pranoi se vendimi i babait të tij ishte politikisht i diskutueshëm, por tha se e kupton arsyen pas tij. “Çfarë do të mendonit për babanë tim nëse nuk do ta bënte këtë për mua?”, tha ai. Hunter pretendoi gjithashtu se Joe Biden kishte frikë se i biri mund të bëhej objektiv pas rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, ai mohoi se kishte pasur ndonjë marrëveshje apo diskutim paraprak me të atin për faljen, duke argumentuar se një gjë e tillë do të ishte shumë e vështirë për t’u mbajtur e fshehtë. Hunter Biden u kthye edhe te debati presidencial i qershorit 2024 mes Joe Biden dhe Donald Trump, performanca e dobët e të cilit shtoi presionin mbi presidentin e atëhershëm për shkak të moshës dhe aftësisë për të vijuar garën. Hunter tha se, teksa e ndiqte debatin nga Kalifornia, e kuptoi menjëherë se diçka nuk shkonte me të atin. “Isha i shokuar. E dija që diçka nuk shkonte”, rrëfeu ai. Fillimisht, Hunter tha se ia atribuoi paraqitjen e dobët lodhjes së shkaktuar nga udhëtimet dhe angazhimet e shumta. Por pas diagnostikimit me kancer të Joe Biden, ai ka reflektuar nëse sëmundja mund të kishte ndikuar në gjendjen e tij që në atë periudhë.

Në intervistë, Hunter Biden foli hapur edhe për periudhën më të errët të jetës së tij dhe betejën me varësinë. Ai përshkroi një periudhë ekstreme të përdorimit të alkoolit dhe kokainës, duke thënë se konsumonte sasi shumë të mëdha alkooli dhe përdorte kokainë në intervale tepër të shpeshta. Hunter e cilësoi atë periudhë si “ferr në tokë”, duke mohuar se varësia e tij ishte pasojë e ndjenjës së privilegjit apo fuqisë që vinte nga familja e tij.

Sipas tij, gjithçka nisi si një mënyrë për t’i shpëtuar stresit dhe izolimit, por përfundoi në një varësi që i rrezikoi seriozisht jetën. Hunter Biden tha gjithashtu se nuk ka ndërmend të hyjë në politikë apo të kandidojë për ndonjë post publik. Në vend të kësaj, ai dëshiron të fokusohet te ndërgjegjësimi për varësinë dhe procesin e rikuperimit, një çështje që, sipas tij, mund të shërbejë si pikë bashkimi në një shoqëri të ndarë politikisht. Në fund të intervistës, Hunter foli me tone emocionale për të atin, duke veçuar mbi të gjitha qëndrueshmërinë e tij përballë vështirësive. “Jam shumë krenar për qëndrueshmërinë e tij”, tha ai, duke e cilësuar Joe Biden si personin më të fortë që njeh.