BOTA, 8 August 2026, 20:34

Izraeli vijon sulmet në Liban pavarësisht armëpushimit, plagosen tre ushtarë gjatë çaktivizimit të municioneve

Pavarësisht armëpushimit dhe marrëveshjes kornizë në rajon, Izraeli ka vijuar sulmet në territorin e Libanit.

Sipas agjencisë zyrtare libaneze të lajmeve, NNA, artileria izraelite ka shënjestruar qytetin Mansouri, në jug të Tirit, duke goditur zonën me disa predha.

Ndërkohë, ushtria libaneze ka bërë të ditur se tre ushtarë janë plagosur gjatë operacioneve për çaktivizimin e municioneve të pashpërthyera në zonën e Zautarit Perëndimor, në provincën Nabatiyeh.

Sipas një deklarate të ushtrisë libaneze, forcat e saj ishin vendosur në Zautarin Perëndimor, në veri të lumit Litani, më 21 korrik, në kuadër të një programi pilot, pas tërheqjes së trupave izraelite nga zona.

Që prej asaj kohe, ushtria libaneze ka nisur operacionet e kërkimit dhe pastrimit të zonës nga municionet e pashpërthyera.

Gjatë këtyre operacioneve ka ndodhur edhe incidenti që la të plagosur tre ushtarë libanezë.

Zhvillimet e fundit vijnë pavarësisht armëpushimit dhe marrëveshjes kornizë në rajon, ndërsa situata në jug të Libanit vijon të mbetet e tensionuar.