AKTUALITET, 21 July 2026, 13:37

VIDEO/ Ministri Nufi: Samiti i NATO-s në Tiranë, besim për Shqipërinë! Prioritet investimet në mbrojtje dhe modernizimi i Forcave të Armatosura

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi zhvilloi një konferencë për media, ku prezantoi prioritetet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes, zhvillimet në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, investimet në mbrojtje dhe masat për përballimin e situatës së zjarreve në vend.

Gjatë konferencës, Ministri Nufi e cilësoi vendimin për organizimin e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Tiranë si një vlerësim të rëndësisë strategjike të Shqipërisë dhe rolit të saj gjithnjë e më të madh në Aleancë. 

Ai theksoi se NATO po hyn në një fazë të re zhvillimi, të njohur si NATO 3.0, dhe se Shqipëria po përgatitet për t'iu përgjigjur këtij realiteti të ri përmes rritjes së kapaciteteve mbrojtëse dhe investimeve strategjike.

Ministri bëri të ditur se Shqipëria ka hyrë tashmë në një trajektore të besueshme të rritjes së investimeve në mbrojtje, duke arritur nivelin e 2.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të alokuar për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas tij, këto investime përfaqësojnë një investim të drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare, stabilitetin e vendit dhe përmbushjen e angazhimeve ndaj NATO-s.

Në këtë kuadër, Ministri Nufi nënvizoi se modernizimi i Forcave të Armatosura mbetet prioriteti kryesor i Ministrisë së Mbrojtjes. 

Gjatë konferencës për media, ai veçoi marrëveshjen me kompaninë FINCANTIERI, e cila pritet të gjenerojë rreth 500 vende pune në Pashaliman, si dhe hapjen e Shkollës Kombëtare të Fluturimit, të cilin e cilësoi një investim strategjik dhe një hap të rëndësishëm në modernizimin e Forcës Ajrore.

Ministri ritheksoi se Shqipëria do të vijojë të jetë një kontribuuese aktive në misionet dhe operacionet ndërkombëtare të NATO-s dhe partnerëve strategjikë, duke forcuar më tej rolin e saj si një aleate e besueshme.

Duke u ndalur te situata e zjarreve, Ministri Nufi informoi se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ka administruar në kohë reale raportimet e ardhura nga strukturat vendore dhe ka koordinuar aktivizimin e kapaciteteve shtesë tokësore dhe ajrore për përballimin e emergjencave. 

Ai theksoi gjithashtu se monitorimi me dronët Bayraktar ka rezultuar një mjet efektiv për evidentimin e hershëm të vatrave të zjarrit dhe për koordinimin e operacioneve në terren.

Në përfundim, Ministri Nufi shprehu mirënjohjen për të gjithë efektivët, zjarrfikësit, Forcat e Armatosura, strukturat e mbrojtjes civile dhe çdo person të angazhuar në shuarjen dhe menaxhimin e zjarreve, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë përgjegjësi maksimale dhe të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura, në toka bujqësore, pranë pyjeve, kullotave apo zonave me bimësi, për të parandaluar rrezikun e përhapjes së flakëve.

Organizimi i NATO-s në Tiranë në vitin 2027 është vlerësim për rëndësinë strategjike të Shqipërisë, tha ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në konferencë për shtyp. Koha mbetet ende për t’u përcaktuar nga Aleanca, por kjo shënon një fazë të re për vendin.

“Koha do të përcaktohet nga vetë Aleanca dhe organizimi është dëshmia më e madhe e besimit për Shqipërinë. Shqipëria dhe NATO po hyjnë në një fazë të re, NATO 3.0, një NATO më e përgatitur, më e aftë dhe që kërkon më shumë përgjegjësi”, tha Nufi.

Ministri theksoi se lufta në Ukrainë ka ndryshuar konceptin e sigurisë, ndërsa kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike kanë imponuar një qasje të re për mbrojtjen kolektive.

“Sot bota përballet me sfida të reja. Lufta në Ukrainë ka ndryshuar konceptin e sigurisë dhe stabiliteti nuk mund të merret më si i mirëqenë. Sulmet hibride dhe kibernetike kanë ndryshuar mënyrën se si shtetet duhet të përgatiten. NATO e sotme është një NATO 3.0, që kërkon gatishmëri dhe përgatitje të përbashkët. Shqipëria po përgatitet për këtë realitet të ri përmes modernizimit të Forcave të Armatosura dhe zhvillimit të infrastrukturës strategjike e kibernetike”, tha Nufi.

Investimet në mbrojtje e siguri dhe modernizimi i Forcave të Armatosura janë prioritet i ministrisë në kuadër të forcimit të sigurisë kombëtare.

“Shqipëria po përgatitet për investime në mbrojtje, fuqizimin e infrastrukturave strategjike. Diskutimi është çfarë kapacitetesh do të ndërtohen me këto para. Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm për sigurinë europiane. Shpenzimet për mbrojtjen janë investim për sigurinë kombëtare, stabilitetin e vendit dhe të ardhmen e Shqipërisë. Shqipëria po ndërton kapacitetet e saj si pjesë e një sistemi kolektiv të mbrojtjes së NATO-s. Prioriteti më i madh i Ministrisë së Mbrojtjes ka qenë dhe mbetet modernizimi i Forcave të Armatosura”, tha Nufi.

Deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës, ministri e quajti “të papranueshme.”

“Deklarata është skandaloze, e papranueshme. Çdo koment tjetër është i pavend. Është e papranueshme sot që të ketë një deklaratë të tillë. Bashkohem plotësisht me reagimin e kryeministrit. Edhe vetë reagimi në Serbi ka treguar që vazhdojmë të kemi atë qëndrim europian”, tha Nufi.

Ministri  Nufi vlerësoi gjithashtu rëndësinë strategjike të Ballkanit për NATO-n, duke theksuar se Shqipëria ka një pozicion kyç për Aleancën, si portë hyrëse në rajon dhe pjesë e Korridorit VIII, i cili do të shërbejë për transportin e trupave dhe pajisjeve ushtarake.

“Ballkani mbetet me rëndësi strategjike për NATO-n dhe pozicioni i Shqipërisë është kyç. Ne jemi një portë hyrëse e rajonit dhe Korridori VIII ka një rol të rëndësishëm për transportin e trupave dhe pajisjeve të Aleancës. Qeveria ka rritur në mënyrë progresive investimet në mbrojtje, duke arritur në rreth 2.6 për qind të PBB-së, pa përfshirë investimet e tjera që lidhen me sigurinë kibernetike dhe rritjen e kapaciteteve. Investimet në mbrojtje janë investim për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin e vendit”, tha ai.

Në këndvështrimin e tij, ky është viti më i mirë sa i përket ndërhyrjeve për zjarret, ndërsa monitorimi vijon 24 orë në 24. Brenda vitit, Shqipëria do të pajiset edhe me 3 avionë zjarrfikës.

“Janë nënshkruar kontratat. Është një investim i jashtëzakonshëm për kapacitetet në RSH. Brenda këtij viti avionët janë zyrtarisht, besoj edhe për pjesën e zjarreve. Pajisjemi me kapacitete maksimale”, tha ministri.