AKTUALITET, 21 July 2026, 12:00

Shkaqet/ Nga etja e verës te miliardat, biznesi i ujit shënon rritje rekord

Shtimi i turistëve, zgjerimi i tregjeve të eksportit dhe problemet e vazhdueshme me furnizimin me ujë të pijshëm në shumë zona të vendit po i japin një tjetër shtysë këtij sektori. Të kombinuara me temperaturat gjithnjë e më të larta, këta faktorë kanë bërë që konsumi i ujit të ambalazhuar të arrijë nivele rekord.

Të dhënat tregojnë se nga viti në vit, biznesi i ujit të pijshëm po rezulton i suksesshëm, veçanërisht pas periudhës së pandemisë gjatë së cilës mori edhe goditjen më të madhe si pasojë e mbylljes së tregjeve.

Shifrat financiare tregojnë se ky është një nga bizneset që ka njohur rritje të qëndrueshme vitet e fundit. Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se tetë kompanitë më të mëdha të sektorit realizuan mbi 9.4 miliardë lekë, ose rreth 90.4 milionë euro të ardhura gjatë vitit të kaluar.

Në raport me vitin 2024 të ardhurat rezultojnë të jenë zgjeruan me 1.1  miliardë lekë, ndërsa në raport me 2018-n, paratë e hyrë në arkat e biznesve të ambalazhimit të ujit të pijshëm janë gati 3-fishuar. 

Biznesi i ujit rezulton fitimprurës edhe pas heqjes së të gjitha kostove mbi kompanitë. Vitin e shkuar, tetë kompanitë më të mëdha fituan gati 1.8 miliardë lekë, me kursin aktual të këmbimit mbi 18 milionë euro.

Në raport me vitin 2021, fitimet e kompanive janë rritur me 4.5 herë. Bazuar te të dhënat e Entit Rregullator të Ujit dhe shifrave që raportohen në Qendrën Kombëtare të biznesit, një shqiptar shpenzon përafërsisht 60 lekë në ditë, 1 mijë e 800 lekë në muaj apo 21 mijë e 60 lekë në vit për ujë të pijshëm.

Shifrat e turistëve, por edhe të dhënat e doganave mbi eksportet paralajmërojnë për fitime të kënaqshme të kompanive të ujit edhe gjatë këtij viti.