SPORT, 28 Prill 2020, 21:02

Ultimatumi i presidentit të UEFA-s: Keni një muaj kohë për kampionatet

Ultimatumi i presidentit të UEFA-s: Keni një muaj kohë për

Anullimi i kampionateve një nga një po shtyn UEFA-n që të përshpejtojë planin e saj për mbylljen e këtij edicioni. Institucioni i futbollit në kontinent kishte lënë të kuptohej fillimisht se kampionatet do të kishin kohë të mjaftueshme për të menduar të ardhmen pasi kishin edhe verën në dispozicion. Por situata ka ndryshuar dhe tashmë afati për të treguar se çfarë do të bëjnë është vendosur pas nëj muaji, më 25 maj.

Presidenti Aleksander Çeferin ka shpjeguar për “Reuters” këtë afat të ri që u është komunikuar federatave në mënyrë që të nisë përgatitja e sezonit të ardhshëm të Kupave të Europës.

“Federatat apo Ligat duhet të jenë në gjendje që t’i komunikojnë UEFA-s brenda 25 majit 2020 planin për të rifilluar kampionatet kombëtare, përfshirë edhe datën e rinisjes dhe formatin e zgjedhur për kompeticionin. Nëse një kampionat kombëtar do të mbyllet në mënyrë të parakohshme për arsye të drejta, UEFA do t’u kërkojë Federatave brenda datës 25 maj 2020 kushtet e veçanta që sollën këtë mbyllje të parakohshme dhe për të përzgjedhur klubet për kompeticionet UEFA për edicionin 2020-2021 duke u bazuar te merita sportive në kompeticionet kombëtare të edicionit 2019-2020”, theksoi ai.

Me pak fjalë, brenda këtij muaji Federatat në Europë duhet të dinë me saktësi nëse do të luajnë përsëri apo nëse kampionatet do të mbyllen. Për ata që do të mbyllen, brenda kësaj date do të dorëzojnë në UEFA listën e skuadrave të cilat do të marrin pjesë në Kupat e Europës për edicionin e ardhshëm.