AKTUALITET, 5 November 2026, 12:38

Rama: Shqipëria futet në kilometrin e fundit të negociatave! Duke i rënë njëri gozhdës dhe tjetrit potkoit, ushqejmë ndasinë

Rama: Shqipëria futet në kilometrin e fundit të negociatave! Duke

Kryeministri Edi Rama teksa mori në dorë progres raportin e Komisionit Evropian tha se Shqipëria është në kilometrin e fundit të anëtarësimit në BE.

Rama u shpreh se rrugëtimi europian i Shqipërisë tashmë nuk duhet të shihet më përmes pritshmërive për vendimmarrjen e institucioneve europiane, por përmes angazhimit dhe hapave që duhet të ndërmarrë vetë vendi.

“Për një kohë të gjatë, rrëfimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë është përcaktuar nga çfarë ne prisnim të ndodhte. Statusi i kandidatit po, jo, kur? Hapja e negociatave po, jo, kur? Miratimi i piketave të ndërmjetme po, jo, kur?

Sot, ky raport i publikuar dje nga KE përcakton një rrëfim të ri. Jo më mbi atë që ne presim të ndodhë, por mbi hapat që duhet të hedhim për ta kryer këtë rrugëtim. E thënë ndryshe, fati europian i Shqipërisë është sot i gjithi në duart tona. Ky është lajmi kryesor i raportit.

Shqipëria futet në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në BE. Ky kilometër i fundit ka një mijë metra të tjerë për të përshkuar dhe në çdo metër ka njëqind centimetra për të kapërcyer.

Raporti tregon se, krahasuar me një vit më parë, niveli i gatishmërisë së Shqipërisë është rritur dukshëm në të paktën 20 kapituj negociatash. Evidenton përparim nga ekonomia, transformimi digjital, energjia, arsimi dhe përafrimi i legjislacionit me standardet e BE-së”, tha Rama.

Teksa foli per anet pozitive dhe negative te ketij progres raporti, Rama tha: “Duke i rënë njëri gozhdës dhe tjetrit potkoit ushqejmë ndasinë tradicionale, por edhe një përçarje që dëmton këtë mision të madh kombëtar të anëtarësimit në BE dhe cenon interesin kombëtar, sepse në këtë moment të dyja janë të lidhura me një mundësi reale historike për të kapërcyer pragun e largët dhe të ndaluar të Evropës së bashkuar.”