TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në Mamurras ka përfunduar faza e parë e investimit për ndërtimin e ujësjellësit të ri. Ky investim ka mundësuar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për afro 20 mijë banorë të zonës urbane. Janë kryer një sërë ndërhyrjesh, duke nisur me hapjen e tre puseve të reja, ndërtimin e një depoje të re, ndërtimin e tubacionit të transmetimit, ndërtimin e rrjetit shpërndarës dhe të sistemit të monitorimit SCADA, si dhe vendosjen e më shumë se 1 600 matësve të rinj. Të gjitha këto ndërhyrje kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të shërbimit për të gjithë abonentët.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me kryetaren e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, si dhe drejtorin e AKUK, Fludian Çuka, inspektuan nga afër investimin e realizuar. “Pas përfundimit të fazës së parë të këtij projekti, nga i cili përfiton i gjithë qyteti i Mamurrasit, së shpejti do të nisin punimet edhe për fazën e dytë, e cila do të shtrihet edhe në zonat rurale, duke mbuluar shtatë fshatra. Ne jemi pothuajse në fazën përmbyllëse të hartimit të procedurës. Brenda 2-3 javëve shpallim procedurën e prokurimit për fazën e dytë, në mënyrë që viti pasardhës të na gjejë edhe me zgjerimin në zonat e fshatrave të Mamurrasit, që mendoj se e përmbyllim, si të thuash, gjithë këtë zonë”, deklaroi Karakaçi.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal më tej te investimet që Qeveria Shqiptare ka realizuar në qarkun e Lezhës, të cilat kanë në fokus përmirësimin e cilësisë dhe standardit të furnizimit me ujë, si dhe trajtimin e ujërave të ndotura.
“Vetëm këtë vit ne përfunduam një projekt shumë të rëndësishëm me Bankën Gjermane KfW, që kishte një vlerë rreth 16 milionë euro dhe që ka të bëjë me zgjerimin e rrjetit të Shëngjinit dhe zgjerimin e rrjetit të ujësjellësit në Bashkinë e Lezhës, si dhe me trajtimin e ujërave të shiut dhe vendosjen e një sistemi për ujërat e shiut, ndërkohë që po bëhet edhe rehabilitimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura. Kjo është vetëm faza e parë. Vazhdojmë tani edhe me fazën e dytë, që ka një vlerë prej rreth 26 milionë eurosh, me të cilën përsëri bëjmë përmbylljen e rrjetit të Shëngjinit, por edhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura. Janë pothuajse 40 milionë euro që do të investohen në Bashkinë e Lezhës për disa pjesë, sepse, sigurisht, ka zona turistike që duhet t’i mbulojmë edhe me impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura. Impianti tashmë është rehabilituar, por ne po përpiqemi edhe ta zgjerojmë me fazën e dytë të projektit, si dhe me linjën e furnizimit të Shëngjinit”, u shpreh Karakaçi.