TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një konflikt për motive të dobëta ka rrezikuar të përshkallëzohet në përdorimin e armës së zjarrit në Kavajë. Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Reaction”, duke arrestuar në flagrancë një 33-vjeçar të dyshuar për kanosjen me pistoletë të një 19-vjeçari.
Në pranga ka rënë shtetasi A. H., 33 vjeç, banues në Lushnjë, i cili akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kanosja”.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në një subjekt përgjatë aksit rrugor “Rrogozhinë-Kavajë”, pas një konflikti për motive të dobëta. Sipas Policisë, 33-vjeçari ka kanosur me armë zjarri shtetasin D. T., 19 vjeç, banues në fshatin Kryeluzaj.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe për të identifikuar autorin e dyshuar.
Gjatë operacionit, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar pistoletën e dyshuar të përdorur për kanosjen. Sipas Policisë, 33-vjeçari e kishte fshehur armën pranë vendit ku kishte ndodhur konflikti, në fshatin Kryeluzaj.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës së tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi municioni luftarak të kalibrave të ndryshëm.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe sqarimin e të gjitha rrethanave të konfliktit. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.