AKTUALITET, 21 September 2026, 11:05

Tiranë/ Komiteti Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, PD: Do të ngremë shqetësimet për korrupsionin. Balla: Integrimi, proces gjithëpërfshirës

Është mbledhur sot në 21 shtator Komiteti i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri. Fjalën i pari e mori kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla.

Balla deklaroi se integrimi europian është një proces gjithëpërfshirës kombëtar dhe parlamenti duhet të ketë rol kyç.
“Integrimi europian nuk është vetëm një detyrë e qeverisë. Është një detyrë gjithëpërfshirëse, ku rol kyç ka edhe Kuvendi. Qytetarët kërkojnë që të ketë standarde të Bashkimit Europian. Qeveria po angazhohet që të ketë platforma, ku qytetarët të mund të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre. Ne jemi këtu që në Shqipëri të mund të ketë zhvillim në çdo fushë.

Shteti i së drejtës është themeli, mbi të cilin po ngrihet ky proces. Integrimi duhet të përkthehet në ekonomi konkurruese dhe më tepër mundësi për të rinjtë. Ne jemi të zotuar që Shqipëria të mund të zhvillojë raporte shumë të mira me fqinjët”, tha Balla.

Ndërkohë, Partia Demokratike njoftoi se përfaqësuesit e saj do të paraqesin qëndrimet e opozitës mbi çështje që lidhen me korrupsionin, krimin, lirinë e medias, të drejtat e njeriut, ekonominë, turizmin dhe procesin e integrimit evropian.

Sipas PD-së, në takimet me eurodeputetët do të diskutohet edhe roli i Kuvendit në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Komiteti zhvillon sesionin e parë në Tiranë, ndërsa të martën delegacioni i europarlamentarëve pritet të vizitojë zonën e Zvërnecit.
Kjo vizitë në Zvërnec vjen pas ndërgjegjësimit të komunitetit ndërkombëtar nga protestat e qytetarëve kundër shkatërrimit të zonave të mbrojtura dhe jo vetëm.

Shfuqizimi i ligjit për “Zonat e Mbrojtura”, tashmë i dorëzuar si iniciativë në Kuvend nga Partia Demokratike, është kërkesë kryesore e Bashkimit Evropian për procesin e integrimit.

PD theksoi se gjatë vizitës do të trajtohen edhe çështje që lidhen me zonat e mbrojtura dhe iniciativën e saj për shfuqizimin e ligjit për “Zonat e Mbrojtura”.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në këtë Komitet janë: Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi, Ina Zhupa, Saimir Korreshi, Bardh Spahia, Ivi Kaso dhe Igli Cara.